Anëtarët e ekzekutivit komunal të Prizrenit, në mbledhjen e mbajtur me kryetarin e komunës, Mytaher Haskuka, sot kanë raportuar për shpenzimin e buxhetit dhe projektet e iniciuara nga drejtoritë për katër muajt e parë të vitit.
Haskuka ka thënë se tashmë në prag të qershorit, duhet përgatitur për rishikimin e buxhetit, që është trashëguar nga ish-qeverisja e kaluar, ndërsa në disa raste duhet të bëhen ndërhyrje.
“Disa projektet nuk do të fillojnë e disa do të nisin rishtas”, ka thënë ai teksa ka konfirmuar si definitive anulimin e projektit të teleferikut për në Kala si dhe një pjesë e projektit për rregullimin e shtratit të Lumbardhit, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.
Kreu prizrenas, tha se realizimi i buxhetit le për të dëshiruar për shkak të rrethanave të njohura tashmë për opinionin, ndërsa shprehu besimin se me rishikimin e buxhetit për pjesën e dytë të vitit do të arrihen objektivat e parapara, në mënyrë që të mos ketë tepricë buxhetore.
“Deri tash e kemi 20-22 për qind të buxhetit të shpenzuar. Deri në fund të vitit do t’i japim prioritet projekteve nga grandet qeveritare dhe kësisoj besoj që do t’i shpenzojmë mjetet e planifikuara”, tha Haskuka.
Gjatë mbledhjes, drejtorët komunal kanë prezantuar punën e bërë dhe disa nga projektet që parashihet të realizohen, përfshirë edhe sfidat për finalizimin e tyre.
Ajo që u vërejt, në mbledhjen e parë më praninë e mediave është se të gjithë drejtorët, përfshirë edhe ata të partive të komunitetit boshnjak e turk, kanë folur në gjuhën shqipe.