16-04-2024

Prizren: Cilat projekte të ish-qeverisjes Muja do t’i ndalojë Haskuka?

Anëtarët e ekzekutivit komunal të Prizrenit,  në mbledhjen  e mbajtur me kryetarin e komunës,  Mytaher Haskuka, sot kanë raportuar për shpenzimin e buxhetit dhe projektet e iniciuara nga drejtoritë për katër muajt e parë të vitit.

Haskuka  ka thënë se tashmë në prag të qershorit,  duhet përgatitur për rishikimin e buxhetit,  që është trashëguar nga ish-qeverisja e kaluar, ndërsa në disa raste duhet të bëhen ndërhyrje.

“Disa projektet nuk do të fillojnë e disa do të nisin rishtas”, ka thënë ai teksa ka konfirmuar si definitive anulimin e projektit të teleferikut për në Kala si dhe një pjesë e projektit për rregullimin e shtratit të Lumbardhit, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.

Kreu prizrenas, tha se realizimi i buxhetit le për të dëshiruar për shkak të rrethanave të njohura tashmë për opinionin,  ndërsa shprehu besimin se me rishikimin e buxhetit për pjesën e dytë të vitit do të arrihen objektivat e parapara,  në mënyrë që të mos ketë tepricë buxhetore.

“Deri tash e kemi 20-22 për qind të buxhetit të shpenzuar.  Deri në fund të vitit do t’i japim prioritet projekteve nga grandet qeveritare dhe kësisoj besoj që do t’i shpenzojmë mjetet e planifikuara”, tha Haskuka.

Gjatë mbledhjes, drejtorët komunal kanë prezantuar punën e bërë dhe disa nga projektet që parashihet të realizohen, përfshirë edhe sfidat për finalizimin e tyre.

Ajo që u vërejt, në mbledhjen e parë më praninë e mediave është se të gjithë drejtorët,  përfshirë edhe ata të partive të komunitetit boshnjak e turk, kanë folur në gjuhën shqipe.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.