Prizren: Çka deklaroi në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, në vitin 2022, ish-prokurori Biraj?
Betimi për Drejtësi” të shtunën ka transmetuar hulumtimin me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”.
Ky ish-prokuror, në deklarimin e fundit të pasurisë më 23 mars 2022, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte deklaruar 76 mijë euro para të gatshme. Po ashtu, kishte deklaruar edhe një veturë “Audi A4” në vlerë 11 mijë euro, si dhe një veturë në vlerë 4 mijë euro, këtë të fundit në emër të fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Veç këtyre, Biraj kishte deklaruar truall dhe banesë të blerë në vlerë 110 mijë euro, si dhe prona të trashëguara në vlerë 40 mijë euro.
Në hulumtimin e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, prokurori Biraj dyshohet se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.
Në hulumtim, tregohet se si pesë vjet të procesit hetimor dhe gjyqësor për gjykimin e tre ish- të akuzuarve: Naim Osmanit, Ukë Sadrijajt dhe Arbër Salihut, për tentim transportimin e 130 kilogramë marihuanë në Zvicër, kishin shkuar dëm.
Kjo pasi, më 31 maj të këtij viti, prokurori i rastit, Metush Biraj, tani avokat, u tërhoq nga ndjekja penale me pretendimin se nuk kishte fakte të mjaftueshme.
“Betimi për Drejtësi” nga burime të veta, kishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish- prokurorit Biraj dhe Shkodran Pulajt, në lokalin “Kosova” që gjendet përballë objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në këtë video-incizim, ish-prokurori Biraj në bisedë me Pulajn, kishte thënë se i ka zbehur provat.
“Jo bre. Ti ti (nuk kuptohet). Kqyre ti, ngo ti, unë kom thanë nëse vjen puna, nëse vjen aty mirë e ki për me u tërhek, mirëpo çfarë dobie ka ai unë për me u tërhek, kur unë de fakto unë krejt provat ia kam zbeh?”, kishte thënë ish-prokurori Biraj.
Gazetarja e “Betimi për Drejtësi”, Alberta Hashani ishte paraqitur në zyrën ku tashmë e ushtron profesionin e avokatit, Biraj, ku përveç detajeve të video-incizimit, Biraj ishte pyetur edhe për “Zbehjen e provave”. Por, përgjigja e ish-prokurorit Biraj, lë shumë për të dëshiruar.
Emisionin e plotë mund ta gjeni në linkun e mëposhëm. /BetimipërDrejtësi