25-11-2024

Prizren: Ç’kërkoi Prokuroria dhe mbrojtja në gjykimin ndaj ish-drejtorëve komunal

Prokurori Mehdi Sefa ka kërkuar dënimin e të akuzuarve Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ganimete Babuna dhe Ares Shporta, të cilët po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare. Kurse, mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.

Levent Kasemi, ish-drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi, ish-drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri, ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, Ganimete Babuna, ish-asambliste e Kuvendit Komunal të Prizrenit, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, në cilësi të anëtarëve të komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, po akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme kanë përzgjedhur Fatmire Berishën si përfituese të ankandit publik për lokalin në sheshin “Shatërvan” , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Sefa, gjatë fjalës përfundimtare të premten tha se nga provat e administruara, dëgjimi i dëshmitarëve dhe i të dëmtuarit Albert Doqi, si dhe prova të tjera, është vërtetuar përshkrimi faktik i veprës për të cilën ngarkohen të akuzuarit.

Sipas tij, është vërtetuar që të akuzuarit kanë shkelur kriterin e ankandit publik- nenin 5 të paraparë sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme, duke dëmtuar Komumën e Prizrenit dhe të dëmtuarin Doqi.

Prokurori ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Kurse, i dëmtuari Doqi dhe përfaqësuesja e Komunës së Prizrenit, Florentina Çoçaj mbështetën fjalët e prokurorit dhe kanë parashtruar kërkesë pasurore-juridike.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kasemi, avokati Asman Hoxha tha se i mbrojturi i tij ka vepruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se në bazë të ligjit i është lejuar që të bëjë caktimin e kritereve në ankandin publik.

Avokati Hoxha dhe mbrojtësi i Kabashit, avokati Betim Kadolli e cilësuan të pabazuar aktakuzën e Prokurorisë, duke kërkuar që të mbrojturit e tyre të lirohen në mungesë të provave.

Po ashtu, edhe të akuzuarit Kasemi dhe Kabashi kanë kërkuar që në mungesë të provave të lirohen nga akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Refik Shaqiri, avokati Amer Alija ka thënë se në veprimet e të mbrojturit të tij ka munguar dashja për kryerjen veprës penale, pasi sipas tij i njëjti nuk ka njohur as të dëmtuarin Doqi dhe as përfituesen e ankandit publik, Berishën.

Lirimin e të akuzuarës Babuna, e ka kërkuar mbrojtësi i saj Brahim Sopa, i cili tha se është vërtetuar që komisioni për vlerësim ka qenë kompetent dhe ka përmbushur detyrat. Kërkoi që ajo të lirohet në mungesë të provave.

Fjalët e mbrojtësit të saj, i ka mbështetur e akuzuara Babuna e cila aktakuzën e ka cilësuar si të padrejtë dhe ka kërkuar që gjykata të marrë aktgjykim lirues ndaj saj.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha njoftoi se aktgjykimit do të shpallet më 24 tetor 2023.

Të akuzuarit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna, sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, akuzohen se më 18 mars 2019 i kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese të pronës komunale ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte ofruar çmimin më të lartë për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim Berishës dhe se më këtë rast kanë shkelur kriterin e ankandit publik të paraparë me ligj.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.