Prizren: Ç’solli gjykimi ndaj rastit të aksidentit fatal nga garat në autostradë ku vdiqën tre persona
Gjykata e Prizrenit ia ka ndëprerë paraburgimin Arlind Sylës, njërit prej të akuzuarëve për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi më 2023 në autostradën “Ibrahim Rugova”, e nga i cili vdiqën tre persona.
Në këtë aksident i cili ndodhi më datë 16.12.2023, ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D. dhe L.S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.
Të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak më datë 15.05.2024, pas përfundimit të seancës fillestare të mbajtur më datë 14.05.2024.Në seancën fillestare, gjykata ka njoftuar se i akuzuari Arlind Syla para gjykatës e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga ana e prokurorisë, kurse i akuzuarit Irfan Hoti nuk e ka pranuar fajësinë.Gjykata në këtë seancë nuk ka marrë aktvendim lidhur me aprovimin apo refuzimin e pranimit të fajësisë, nga i akuzuari Syla.
“Gjyqtarja e rastit, ka marrë aktvendim, dhe të pandehurit A.S., i është ndërprerë masa e paraburgimit, nga data 15.05.2024, dhe e njëjta masë i ZËVENDËSOHET me masën e arrestit shtëpiak, ashtu që kjo masë mund të zgjasë deri më datën 15.07.2024.” – thuhet në përgjigjen e dhënë për KALLXO.com.
Kurse për të akuzuarin tjetër Irfan Hoti, gjykata i’a ka vazhduar masën e paraqitjes në stacion policor.“Të pandehurit I.H., i vazhdohet masa e paraqitjes në stacion policor, ashtu që kjo masë do të zgjasë deri me datë 17.07.2024.” – thuhet tutje në përgjigje.Lidhur me ndërrimin e masës së sigurisë, gjyqtarja e çështjes Ajser Skenderi ka vlerësuar kanë pushuar arsyet ligjore për të cilat të akuzuarit Arlind Syla i ishte vazhduar masa e paraburgimit.
“Kryetarja e trupit gjykues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës ka vlerësuar se kanë pushuar arsyet ligjore për të cilat të akuzuarit A.S., i është vazhduar masa e paraburgimit, andaj ka vendosur që të akuzuarit të lartpërmendur ti ndërprehet masa e paraburgimit dhe e njëjta masë të i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak pasi që në rastin konkret ka vlerësuar se edhe me masën e arrestit shtëpiak do të sigurohet prezenca e tij në procedurë dhe nuk do të dëmtohet zbatimi me sukses dhe i rregullt i procedurës penale” – thuhet në përgjigje.Mbrojtësve të të akuzuarëve u është dhënë afati prej 30 ditësh të paraqesin kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, kurse prokuroria ka afat prej 15 ditësh të deklarohet me shkrim rreth këtyre kërkesave të mbrojtjes.
Dosja e Prokurorisë: Si kishte ndodhur aksidenti?
Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit ishin marrë vesh dhe kishin organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.
Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe në një moment, i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.Ndaj tyre rëndon akuza e rrezikimit të trafikut publik.
Sipas Kodit Penal nga neni 370, rrezikimi i trafikut publik që sjell për pasojë vdekjen e një apo më shumë personave, dënueshmëria minimale është 3 vite kurse ajo maksimale 12 vite.“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet” – përshkruhet në paragrafin 5 të nenit 370 të Kodit Penal./Kallxo.com/