Prizren: Deklarohet i pafajshëm zyrtari policor i cili po akuzohet se përvetësoi 5 euro

Në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj zyrtarit policor Selman Ukzeka.

Ukzeka po akuzohet se si zyrtar policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, në maj të vitit 2019, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, bën regjistrimin e gjësendeve të tij, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej 5 euro që i posedonte i dëmtuari, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në fillim të kësaj seance, prokurori Metush Biraj kërkoi nga trupi gjykues që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se “është me rëndësi me qenë prezent edhe i dëmtuari Syl Shala, pasi që sot do të merret në pyetje i akuzuari Ukzeka, dhe për këtë do të dëshiroja të bëja nja dy pyetje të dëmtuarit Shala, me arsyetimin se është me rendësi për ç’ështjen penale”, deklaroi prokurori Biraj.

Kërkesa në fjalë, u refuzua nga trupi gjykues, me arsyetimin se i dëmtuari është marrur në pyetje në shqyrtimin e kaluar, dhe se prezenca e tij nuk është e domosdoshme.

Pas kësaj, seanca vazhdoi me dëgjimin e të akuzuarit Selman Ukzeka.

Në pyetjet e parashtruara nga mbrojtësi i tij, avokati Avni Thaqi se sa para i ka nxjerrë nga xhepat e të dëmtuarit.

I akuzuari Ukzeka tha se nga xhepat e të dëmtuarit i ka nxjerrë 5 euro, 5 franga të metalta dhe 20 cent, duke shtuar se kanë qenë edhe disa lekë të Shqipërisë dhe dinar të Serbisë.

Tutje, i akuzuari Ukzeka deklaroi se pasi e ka vendosur në qeli të dyshuarin, tani të dëmtuarin Shala, pas gjysmë ore, në qartën e tij të krahut, i ka gjetur edhe kartëmonedha tjera të Suedisë, Hungarisë, dollar dhe para të Egjiptit, ku këto të holla nuk i kishte deklaruar më herët.

Në këto rrethana, zyrtari policor, tani i akuzuar Selman Ukzeka deklaroi se i ka marr parat nga qanta dhe  ka shkuar në qeli te i dyshuari, tani i dëmtuari Shala, ku e ka pyetur se përse nuk i ka deklaruar edhe këto para.

Sipas deklarimit nga i akuzuari Ukzeka, i dëmtuari i ka thënë se këto para nuk i ka deklaruar me arsyetimin se janë para të vjetra.

I akuzuari Ukzeka theksoi se parat i ka regjistruar në formularin numër 8.

Më pas, në pyetjen e parashtruara nga prokurori Metush Biraj, lidhur me atë se i dëmtuari a ka poseduar 2 banknota nga 5 euro.

I akuzuari Ukzeka tha jo, nuk i ka patur 2 banknota nga 5 euro.

Po ashtu, Ukzeka deklaroi se gjatë regjistrimit të gjësendeve të të dëmtuarit në procesverbalin numër 8, nuk ka qenë  prezent i dëmtuari.

Në fund, Ukzeka deklaroi se  fletën numër 8 mbi pranimin e gjësendeve, e ka marrë me të gjitha paratë e gjetura dhe ka shkuar në qeli tek i dëmtuari Shala, atëherë i dyshuar, duke deklaruar se i ka thënë që parat e gjetura të pa lajmëruara do të regjistrohen në fletën ku më herët ka nenshkruar i dëmtuari.

Po ashtu, Ukzeka tha se kur e ka pranuar ndërrimin e punës, në ora 22:50 minuta, në tavolinën ku ka qenë në zyrën e pranimit nuk ka patur asgjë, duke shtuar se vetëm i dyshuari ka qenë i ulur në karrikë, dhe kolegu i tij, zyrtari policor Bashkim Kastrati, ku pas pranimit të ndrrimit, kolegu i tij, Kastrati ka shkuar në shtëpi. Ku më pas i akuzuari Ukzeka, si zyrtar policor ka filluar procedurat e pranimit të të dyshuarit, të dëmtuarit Shala, siç i ka thënë se çka ka në trup dhe në xhepa, duhet të i vendos në tavolinë, ka deklaruar Ukzeka.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të të akuzuarit, mbrojtësi i të akuzuarit Selman Ukzeka, avokati Thaqi kërkoi nga trupi gjykues që kjo seancë të mos vazhdojë me dhënien e fjalës përfundimtare, me arsyetimin se me marrjen në pyetje të mbrojturin e tij, të akuzuarin Ukzeka, kanë ndryshuar disa rrethana, për këtë, avokati Thaqi kërkoi nga trupi gjykues që fjala përfundimtare të caktohet për një ditë tjetër.

Prokurori Biraj deklaroi se është i pajtimin edhe ai me propzimin e avokatit Thaqi.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani njoftoi se seanca e sotme ndërpritet, e njëjta u caktua për 23 nentor 2020, në ora 13:30.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor 2019, Selman Ukzeka akuzohet se me 10 maj 2019, në cilësinë e zyrtarit policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, i drejtohet me pyetjen: “A janë këto gjësende, 2×5 euro, aksesori, ora e dorës dhe kuleta e juaja?” dhe në momentin kur i ndaluari shfrytëzon tualetin, i akuzuari bën regjistrimin e gjësendeve, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej pesë euro.

Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari del nga tualeti, i pandehuri ia jep formularin për nënshkrim, e bastis në trup dhe e dërgon në dhomë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, pas 30 minutave, shkon në dhomën e ndalimit dhe e pyet të dëmtuarin për disa kartëmonedha të huaja, të cilat pasi i nxjerr nga kuleta ia ofron të dëmtuarit në shikim, e më pas në formular të pranimit e regjistron se i dëmtuari, përveç gjësendeve të lartpërmendura, i ka pasur vetëm 5 euro e 20 cent. /BetimipërDrejtësi