01-10-2022

Prizren: Dënime me burgim për rastin e rrënimit të aneksit “Abi Qarshia”

Gjykata themelore e Prizrenit, gjatë ditës së sotme  ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy (2) të akuzuarve, dhe aktgjykim lirues ndaj katër (4) të akuzuarve, për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar

Gjykata Themelore në Prizren në një komunikatë për media ka njoftuar se , Departamenti i Krimeve të Rënda (trupi gjykues, Kymete Kicaj – Kryetare, dhe anëtarët Raima Elezi dhe Refki Piraj), ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarveI.Th., dhe J.V., për shkak se:

JANË FAJTOR

– Se me datë 19 korrik 2019, dhe 21 korrik 2019, në Prizren në objektin “Abi Çarshia” të akuzuarit në cilësinë personave zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” Sh.P.K., Prizren në atë mënyrë:

– I akuzuari I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bën rrënimin e objektit pasi i dëmtuari ka aplikuar për legalizim në përputhje me vendimin e MMPH të datës 27.08.2018, jep pëlqimin, organizon dhe merr pjesë aktive në rrënimin e objektit “Abi” Sh.P.K., në Prizren,

– E akuzuara J.V., në cilësinë e inspektores së ndërtimit duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin e objektit të të dëmtuarit, meqë është në kundërshtim me vendimit e MMPH të datës 27.08.2018, përveç inspektimeve që kanë kryer në objektet, e akuzuaraJ.V., merr konkluzion mbi rrënimin e objektit “Abi Çarshia” pronë e “Abi” Sh.P.K., me nr. ……. me datë 15.07.2019.

Kështu që të akuzuarit, me datë 19.07.2019, me pjesëmarrjen e tyre aktive, realizojnë rrënimin e aneks objektit “Abi Çarshia” duke ditur se i dëmtuarit ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, veprojnë në kundërshtim me Ligjin nr. 06/L024, për trajtimin e ndërtimeve pa leje, dhe atë Neni 6 dhe 11, par. 6 në kundërshtim me nenin 5,6 dhe 7 të Udhëzimit Administrativ nr. 06/19, të datës 12.07.2019, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme Administrative si dhe vendimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

nr. A213/18 si dhe A-179/19, me të cilën janë anuluar aktvendimet të Drejtorisë së Inspektorateve Komunal i ndërtimtarisë në Prizren nr. ………….., nr. ……………, duke obliguar organet Komunale në Prizren të veprojnë konform ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe Udhëzimeve Administrative në fuqi, andaj të akuzuarit duke mos i përfillur vendime te Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç ‘rast gjatë rrënimit shkaktojnë dëm.

Me këtë në bashkëkryerje kanëkryer penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 1-1 lidhur me nenin 31 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i GJYKON:
– Të akuzuarin I.Th., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve

– Të akuzuarën J.V., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve
Të akuzuarit -E.M.-Th., A.T., I.B., dhe Sh.K.,LIROHEN NGA AKUZA, ngase nuk është provuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par.1 dhe neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I dëmtuari “Abi” Sh.P.K., për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Kymete Kicaj, në pika të shkurtra ka arsyetuar dënimin e shqiptuar duke sqaruar se në bazë të administrimit të provave, duke analizuar veç e veç secilën provë materiale, deklarimet e dëshmitarëve dhe mbrojtjen e të akuzuarve, Gjykata ka gjetur se të akuzuarit I.Th., (në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratave) dhe J.V., (në kuadër të zyrtares pranë Drejtorisë së Inspektorateve), duke vepruar me dashje direkte tejkalojnë autorizimet e tyre ligjore.

Bazuar në të gjitha provat, Gjykata ka vlerësuar se autoritet – të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjet e aplikueshme dhe udhëzimet administrative.

I dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt civil, pasi që trupi gjykues ekspertizës i ka falur besimin pjesërisht, vetëm sa i përket konstatimit të dëmit, por jo në lartësinë e tij në shumën prej 69,729.66 euro.
Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Asnjë koment

Comments are closed.