27-11-2024

Prizren: Dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim i akuzuari pasi pranoi fajësinë se vuri në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara

Gjykata Themelore në Prizren ka shqiptuar 1 vit e 4 muaj dënim unik me burgim për të akuzuarin Amir Krasniqi, pasi që i njëjti pranoi se ka vënë në qarkullim 4 kartëmonedha në shumën nga 100 euro, në shtator të këtij viti në Prizren.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Krasniqi, u shpall të mërkurën nga gjykatësja Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari ka për obligim që të i kompensojë palët e dëmtuara me nga 100 euro secilit, si dhe ndaj t’i konfiskohen kartëmonedhat e falsifikuara.

I akuzuari Krasniqi është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro, si dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Palët e pakënaqura me vendimin kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afatin prej 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër Amir Krasniqit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se më 24 shtator 2021, në rrugën ‘’William Walker’’ në Prizren, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar pranon dhe posedon të njëjtat me qëllim që më pas t’i vë në qarkullim si të vërteta.

Sipas aktakuzës, derisa i njëjti ishte duke drejtuar automjetin e markës ‘’VW Lupo’’ ndalohet nga Policia e Kosovës, tek i cili gjejnë 4 kartëmonedha në shumën prej 100 euro, në total 400 euro, të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara, me ç’rast të njëjtat edhe ia sekuestrojnë përkohësisht.

Po ashtu, i akuzuari Amir Krasniqi thuhet se gjatë periudhës së vitit 2021, në kohë të pavërtetuar, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar posedon të njëjtat me qëllim që më pas t’i vë në qarkullim si të vërteta.

Aktakuza thotë se fillimisht ia dorëzon një kartëmonedhë në shumën prej 100 euro të dëmtuarit Emil Saliji, i cili është pronar i subjektit juridik, ashtu që ky i fundit më 2 korrik 2021, në njërën prej bankave në Prizren, deponon një shumë të konsiderueshme parash të pazarit ditor, në mesin e të cilave ishte edhe kartëmonedha e falsifikuar, për të cilën i dëmtuari nuk e ka ditur se është e falsifikuar.

Tutje thuhet se pas pranimit të Raportit të Ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, të datës 20 shtator 2021, është vërtetuar se kartëmonedha në shumën prej 100 euro është falsifikim i plotë.

Gjithashtu, i akuzuari Amir Krasniqi, më 3 shtator 2021, në biznesin familjar – pronë e të dëmtuarit Mitat Arifeogullu, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar, posedon të njëjtat, me qëllim që më pas t’i vë në qarkullim si të vërteta.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari futet në dyqanin në fjalë dhe me anë të një kartëmonedhe në shumën prej 100 euro, blen 3 pako cigare, ashtu që dëshmitarja F.A., pranon kartëmonedhën nga i pandehuri dhe ia kthen kusurin dhe me të pranuar kusurin largohet nga vendi i ngjarjes me veturën e tij të markës ‘’VW Lupo’’.

Sipas aktakuzës, pas pranimit të Raportit të Ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, të datës 23 shtator 2021, është vërtetuar se kartëmonedha në shumën prej 100 euro, është falsifikim i plotë.

Me këto veprime, i pandehuri Amir Krasniqi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”, nga neni 296, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç? nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.