Prizren: Dënohet shoferi që goditi këmbësorin, dënimi i zëvendësohet me gjobë
Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur fajtor Xhemali Zhurin, i cili akuzohet për aksidentin në trafik në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Prizren mbrëmjen e 20 dhjetorit të vitit që lamë pas, raporton Gazeta Sinjali.
Zhuri i cili ka pranuar fajësinë, fillimisht u dënua me 6 muaj burgim efektiv, por pas kërkesës së avokatit të tij, trupi gjykues ka zëvendësuar dënimin me 1 mijë e 600 euro gjobë.
Zhuri akuzohej se kishte goditur me veturë këmbësorin, Samir Kervani, i cili po kalonte rrugën në vendkalimin e shënjuar për këmbësorë.
Si pasojë e kësaj, i riu ishtë dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku mori trajtimin e nevojshëm mjekësor për lëndimet e rënda që mori.
Lidhur me gjendjen e tij, ka folur për Sinjalin vëllai i viktimës, i cili tha se Samiri ka ende telashe shëndetësore.
“Samiri i lënduari hala nuk është mirë. Ka probleme të rënda psikologjike, dhimbje në kokë, po tutet me dalë prej shtëpisë për shkak qetij rastit”, tha ai.