23-11-2024

Prizren: Dështon gjykimi ndaj ish-inkasantit të “Hidroregjionit Jugor”

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e prokurores së rastit, Ervehe Gashi, e cila gjendet në pushim mjekësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e prokurores Gashi, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, tha se Prokuroria Themelore në Prizren, me parashtresë të datës 17 dhejtor 2019, ka njoftuar gjykatën se prokurorja e rastit nuk mund të prezantojë në seancë për shkaqe shëndetësore, duke kërkuar që shqyrtimi i së martës të shtyhet për një ditë tjetër.

Gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance ndërsa, seancën e radhës e  ka caktuar më 5 shkurt 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, më 3 mars të vitit 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Hafir Gallopeni, Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Ata akuzohen se në cilësi të inkasantëve në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, nga periudha mars 2013 – maj 2015, nuk e kanë dorëzuar të gjithë shumën e inkasuar nga konsumatorët, duke i shkaktuar kompanisë në fjalë dëm në vlerë rreth 26 mijë euro.

Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procesi gjyqësor ka vazhduar ndaras. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.