Mbledhja e sotme e Komitetit për Politikë dhe Financa e Kuvendit të Prizrenit, e thirrur nga kryesuesja, Antigona Berisha- Bytyçi, është mbyllur ende pa filluar, pasi anëtarët e këtij Komiteti nga radhët e LVV dhe LDK janë larguar nga salla.
Pas largimit, anëtari i këtij organi nga radhët e LDK, Florent Ukaj, tha se arsyeja e braktisjes së mbledhjes së sotme, ishte fakti se për shqyrtim dhe miratim kishim pikat e rendit të ditës së mbledhjes së fundit të Kuvendit, e cila nuk u mbajt dhe për arsye të arrogancës që po shfaq pushteti, tha ai.
Në anën tjetër, kryesuesja e Kuvendit, Antigona Berisha- Bytyçi, tha se braktisja e mbledhjes nga opozita nuk është gjë e mirë dhe se anëtarët e Komitetit është dashur që ta mbajnë atë. Ajo më tej tha se, nuk duhet të ndodhë bllokimi i punës së organit më të lartë legjislativ komunal, për shkak të rëndësisë që ka ai në vendimmarje komunale.
Sipas zhvillimeve të fundit rreth Kuvendit, mund të ndodhë që ketë bllokim të punës së këtij organi ndër më të rëndësishëm të komunës së Prizrenit./tv Prizreni