29-04-2024

Prizren: Disa mësimdhënës protestojnë ndaj rishpalljes së konkursit

Zyra e Personelit të komunës së Prizrenit, dje ka rishpallur konkursin për mësimdhënës, i cili ishte anuluar kohë më parë nga kryetari, Mytaher Haskuk dhe DKA. Një vendim i tillë ka nxitur kandidatët e konkursit të anuluar që të martën të mblidhen dhe të kërkojnë sqarime nga drejtoresha e Arsimit.

Rreth 20 kandidatë të cilët ishin pranuar si mësimdhënës në konkursin i cili më pas është anuluar nga kryetari, Mytaher Haskuka dhe DKA, të martën janë tubuar dhe kanë patur një takim me drejtoreshën e Arsimit në Prizren, Xhemile Vezgishi- Thaçi. Në emër të grupit të kandidatëve, Valon Xhoxhaj, thotë se kjo protestë është inicuar pas hapjes së konkursit të ri nga komuna për vendet të cilat pretendojnë ata se i kanë merituar dhe janë përzgjedhur mësimdhënës nga konkursi i anuluar. Ky grup i kandidatëve ka zhvilluar një takim me drejtoreshën Vezgishi- Thaçi, e cila sipas tyre i ka informuar për konkursin e ri të bërë publik ditën e djeshme. Këta kandidatë pas anulimit të konkursit janë ankuar në institucionet përkatëse, dhe thonë se nuk do të aplikojnë në konkursin e rishpallur, dhe kërkojnë që në rast se faktohet se ka patur manipulime në konkursin e anuluar, përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Në anën tjetër, drejtoresha e Arsimit, Xhemile Vezgishi- Thaçi, tha se pas anulimit të konkursit është hapur konkursi i ri cili sipas ligjit të ri i përket Zyres së Personelit, dhe tha se në takimin që kishte zhvilluar me kandidatët që u pranuan në konkursin e anuluar, iu kishte kërkuar atyre që të aplikojnë përsëri . Drejtoresha Vezgishi- Thaçi, tha se në rast se ankesat e kandidatëve janë të drejta dhe vërtetohen nga institucionet përkatëse, atëherë ne do t’i respektojmë ato përkundër faktit se do të kemi një situatë të re rreth kësaj çështje, dhe se do të angazhohemi për të menaxhuar sa më mirë me atë. Sesi do të zgjidhet ky lëmsh i krijuar nga konkursi i anuluar që rezultoi me prishjen e koalicionit Nisma Socialdemokrate- Lëvizja Vetëvendosje, apo çështja do të rëndohet edhe më tepër, pritet të shihet në të ardhmen./tvpz

Asnjë koment

Comments are closed.