27-07-2024

Prizren: Dosja e Prokurorisë – Çka ndodhi dje në Tregun e kafshëve?

Prokuroria Themelore në Prizren, të enjten, ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit R.M, i cili po dyshohet se ka ka hedhur mjetin shpërthyes mëngjesin e së mërkurës në Tregun e kafshëve në Prizren, ku janë lënduar 10 persona.

Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, R.M (i cili gjendet në ndalim) po dyshohet për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në kërkesë, thuhet se më 22 nëntor 2023, në tregun e kafshëve të dyshuarit R.M dhe Xh.S, pas një mosmarrëveshjeje me të dëmtuarit A.S., B.S., B.P., N.B., M.B., F.S., B.V., A.M., F.S dhe B.S., pasi që fillimisht fjalosen, për një moment të dyshuarit aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin), i cili kishte fuqinë e përhapjes së pakontrolluar.

Nga ky shpërthim, në kërkesë thuhet se lëndime kishin pësuar M.B., F.S., B.V dhe B.S., të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë, ndërsa të dëmtuarit A.S., B.P., N.B., F.S., B.S dhe A.M.,  pas pranimit të ndihmës mjekësore janë liruar për në shtëpi. Kështu thuhet se me veprimet e të dyshuarve, është shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve apo pasurinë në vëllim të madh.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 22 nëntor ka njoftuar se lidhur me shpërthimin në Tregun e kafshëve janë identifikuar tre persona.

“Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë në kërkim. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre”, thuhej në njoftim.

Më pas, Policia njofton se pas hetimeve, është gjetur se dy persona kanë qenë kryerës të veprës penale.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit të cilët kanë administruar me prova dhe kanë mbledhur dëshmitë. Fillimisht janë dhënë informacione për tre persona të dyshuar që më vonë me zhvillimin e hetimeve policia ka gjetur se dy persona kanë qenë si kryes të veprës penale, te cilët janë identifikuar dhe policia ka filluar kërkimin për ndalimin e tyre, pasi pas një mosmarrëveshjeje te çastit ndërmjet tregtareve te kafshëve fillimisht ka filluar një rrahje ndërmjet viktimave dhe të dyshuarve ku në një moment të dyshuarit aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin)”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.