19-05-2024

Prizren: Dy të rinj kapen me qese marihuane, të miturit i gjenden edhe 52 qese tjera me drogë në shtëpi

Njësiti policor që është mobilizuar për mbarëvajtjen e festivalit ‘Doku Fest’ në Prizren, mbrëmë ka hasur në dy persona të cilët kishin me vete substanca narkotike dhe një thikë.

Burimet e Gazetes Sinjali bëjnë me dije se dy të rinjtë, njëri nga ta i mitur, me vete kishin hiç më pak se tetë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. I mituri ka pranuar se në shtëpinë e tij ka edhe qese të tjera me marihuanë, çka ka bërë që Policia ta bastis shtëpinë e tij në rrugën ‘Ersan Mazreku’.

Gjatë kontrollit të shtëpisë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe 52 qese tjera me marihuanë, të cilat ishin të gatshme për shitje.


Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në praninë e avokatëve dhe të prindit të të miturit.

Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Asnjë koment

Comments are closed.