13-07-2024

Prizren: Gara e vdekjes, ngritet aktakuzë ndaj dy të rinjve për aksidentin me tri viktima

Bëhet fjalë për Arlind Sylë dhe Irfan Hotin që ishin arrestuar pas aksidentin në autostradën “Ibrahim Rugova” ku mbetën të vdekur tre të rinjtë Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj.

Aksidenti tragjik kishte ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar dhe pak muaj pas Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzën kundër dy të dyshuarve.

Sipas aktakuzës, të pandehurit A.S., dhe I.H., me datë 16.12.2023 rreth orës 22:30, në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prizren, saktësisht në kilometrin e pesëmbëdhjetë (15) të saj nga aksi rrugor ‘’Prizren-Veri’’ në drejtim të aksit rrugor ‘’Prizren Jug’’ ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, në bashkëkryerje veprojnë në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike.

“Ashtu që i pandehuri i parë, A.S me automjetin A rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, derisa i pandehuri i dytë, I.H me automjetin B rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës, me ç’rast duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre, me një shpejtësi dukshëm më të madhe në raport me shpejtësinë e lejuar, i akuzuari i parë humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin C, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës, gjegjësisht viktimat: N.B., M.D., dhe L.S., dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarve: M.Z., dhe B.P., si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali

Asnjë koment

Comments are closed.