25-04-2024

Prizren: Gjobë ndaj shtetasit egjiptian i cili përmes malit kishte hyrë ilegalisht në Kosovë

Gjykata Themelore në Prizren, këtë të premte ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit M.B shtetas egjiptian duke e dënuar me 250 euro gjobë dhe si dënim plotësues, dëbimi i të akuzuarit nga territori i Republikës së Kosovës.

Sipas aktgjykimit të shpallur i akuzuari M.B është dënuar me 250 euro gjobë dhe si dënim plotësues dëbimi i të akuzuarit nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej 1 viti.

Gjithashtu, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20 euro, si dhe shumën prej 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Mirëpo, gjykimi ndaj të akuzuarit M.B ka përfunduar në një afat rekord, i akuzuari me 3 gusht 2022 sipas aktakuzës pretendohej se kishte kaluar kufirin e Kosovës ilegalisht, ndërsa të njëjtit me 4 gusht 2022 Prokuroria Themelore në Prizren i kishte ngritur aktakuzë.

Seanca për të njëjtin ishte mbajtur një ditë pas ngritjes së aktakuzës, pra me 5 gusht 2022, në të cilën seancë i akuzuari M.B kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 4 gusht 2022, i akuzuari M.B më 3 gusht 2022, akuzohet se ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes pjesës malore mbi vendkalimin kufitar të Vërmicës.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari M.B kishte kaluar në këmbë pikën kufitare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në mënyrë të paautorizuar dhe jashtë vendkalimit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i njëjti pasi futet në territorin e Kosovës zbulohet dhe ndalohet nga patrulla e Policisë së Kosovës për mbikëqyrjen e kufirit.

Me këto veprime po akuzohej se ka kryer veprën penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140 paragraf 1 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme sipas këtij Kodi dënohet me 250 euro gjobë ose me burgim deri në 6 muaj./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.