25-04-2024

Prizren: Gjykimi ndaj ish-inspektorit, pronari i objektit thotë se s’kishte leje ndërtimi, por vetëm të punës

Pronari i kompleksit hotelier, përkatësisht shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, Xhavit Bytyqi ka thënë se ai nuk posedon leje ndërtimi, por ka leje të punës, e cila i është lëshuar nga Komuna e Prizrenit.

Një deklaratë të tillë, ai e ka bërë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar gjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit, Bashkim Krasniqi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Krasniqi akuzohet se gjatë vitit 2014, nuk e ka ekzekutuar vendimin e Drejtorisë së Inspektorateve në Prizren, për rrënimin e kompleksit “Crazy Love”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, dëshmitari Xhavit Bytyqi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Metush Biraj, ka thënë se ai nuk ka leje për këtë objekt.

“Jo nuk kam leje ndërtimi, por kam leje të punës dhe tatimet i kam paguar rregullisht”, ka thënë Bytyqi.

Kurse, i akuzuari Krasniqi, ka kërkuar nga ky dëshmitar të tregonte se sa herë e ka parë atë të shkonte në vendin e ngjarjes.

“Po keni qenë disa herë. Ma keni shkrujt dënimin që jam duke ndërtu pa leje, e kam pagu dënimin, e di që ke qenë dy-tri herë”, është përgjigjur Bytyqi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e trupit gjykues, se pasi që dëshmitari ka deklaruar se nuk kishte leje të ndërtimit, nëse e dinte se kush e ka nënshkruar lejen e punës dhe cili organ e ka lëshuar atë, por Bytyqi ka thënë se nuk e din për një gjë të tillë, duke shtuar se për leje të punës, kishte aplikuar në Komunën e Prizrenit.

Në seancën e së mërkurës, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe koordinatori komunal i inspektorateve në Prizren, Fail Hoxha.

Dëshmitari Hoxha, ka shpjeguar procedurën e ekzekutimit të një konkluzioni, pasi për një gjë të tillë, është pyetur nga prokurori Biraj.

Ai ka thënë se Inspektori i Ndërtimtarisë duke zhvilluar procedurën administrative, pos akteve tjera juridike merr edhe konkluzion për ekzekutimin e dhunshëm të objekteve pa leje.

Sipas tij, në momentin kur e merr konkluzionin, një shkresë të tillë ia dërgon edhe palës me qëllim të njoftimit që do të bëhet ekzekutimi i dhunshëm.

“Madje, inspektori ka obligim që së bashku me kontraktuesin e ekzekutimit të dhunshëm të objekteve, të dalë në vendin e ngjarjes dhe më për së afërmi të njihet me e objektin që do të rrënohet dhe sa kohë nevojitet për me ekzekutu dhe mjetet e punës që duhet me i përdor. Pas kësaj inspektori ma sjell mua lëndën dhe ne e bëjmë kërkesën policisë 72 orë më herët për asistim për ekzekutimin e lëndës”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, në pyetjen e të akuzuarit Krasniqi, se a është konkluzioni akti i fundit që merr inspektori dhe se a ka qenë i njoftuar drejtori i Inspektorateve me këtë lëndë, dëshmitari është përgjigjur duke thënë se po.

I akuzuari gjithashtu e ka pyetur atë nëse lënda ka ardhur deri në ekzekutim, a ka mundësi që inspektori ta ndante lëndën dhe të mos e bëj ekzekutimin pa dijeni të eprorit dhe se a duhet eprori t’i jepte atij urdhër për ekzekutim.

Dëshmitari Hoxha, është përgjigjur duke thënë se inspektori nuk mund ta bëj një gjë të tillë pa dijeninë e eprorit dhe se eprori duhet t’i jepte urdhër për ekzekutim.

Ai ka vazhduar dëshminë e tij edhe në pyetjet e trupit gjykues, se për veprimet e tij, inspektori a duhet ta njoftojë drejtorin dhe se në rastet kur drejtori nuk e lejon një ekzekutim, sipas konkluzionit të marrë, a mundet inspektori për kundër faktit që vet e ka marrë atë konkluzion të dal dhe ta rrënojë objektin.

“Po inspektori e njofton drejtorin e tij për të gjitha veprimet e ndërmarra, po ka mundësi që vetë të bëjë rrënimin, por këtë duhet ta bëj me shkrim”, ka deklaruar dëshmitari Hoxha.

Në këtë seancë, ka qenë e paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari tjetër, Bedri Bytyqi, por që ai ka munguar.

Ndërkaq, në seancën e së mërkurës, palët në procedurë i kanë dhënë edhe fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori i rastit, Metush Biraj, ka deklaruar se nga provat e grumbulluara që do të administrohen në këtë gjykim, e që i janë bashkëngjitur lëndës, sipas tij, do të provohet përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari Krasniqi, ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Driton Shehu, ka thënë se aktakuza e ngritur nuk ka mbështetje të mjaftueshme në provat e propozuara, pasi që sipas tij, me këto prova konsiderojnë se nuk rezulton dyshimi i bazuar mirë se klienti i tij, e ka kryer një vepër të tillë penale.

Por, pasi që ka munguar dëshmitari Bedri Bytyqi, trupi gjykues e ka ndërprerë seancën e së mërkurës dhe seancën e radhës e ka caktuar më 18 tetor 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Krasniqi, të cilin e ngarkon se në cilësinë e personit zyrtar, inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit të fundit të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xhavit Bytyçi, pronar i kompleksit hotelier – shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pas kësaj date, edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.