25-04-2024

Prizren: Gjykimi ndaj ish-përmbarueses private, propozohet dëgjimi i një dëshmitari

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, e akuzuara ish-përmbaruesja private, Saranda Kuçi ka propozuar që në cilësi të dëshmitari të dëgjohet Bajrush Gashi.

Propozimin e të akuzuarës Kuçi, e ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi.

Kuçi po akuzohet se duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin tipit “Hurmilan-XA6062” në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G, i cili nuk ishte pronë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, në këtë seancë i dëmtuarit Xhavit Gegaj ka thënë se përmbaruesja nuk ka pasur të drejtë të shkoj në shtëpinë e tij dhe se me veprimet e të njëjtës është ofenduar.

Vërejtje në deklarimet e të dëmtuarit Gegaj, ka paraqitur mbrojtësi të akuzuarës Kuçi, avokat Sylë Hoxha dhe vet e akuzuara, duke cilësuar deklarimet e tij si të pavërteta dhe në kundërshtim me provat materiale.

Tutje, është bërë leximi i shkresave të lëndës, e që avokati Hoxha ka paraqitur vërejtje në provën e propozuar nga prokuroria dhe atë, ankesën e të dëmtuarit Gegaj e paraqitur në Odën e Përmbaruesve Privat të Kosovës me arsyetimin se e njëjta nuk është objekt i akuzës.

Prokurori Metush Biraj, ka thënë se të gjitha provat e propozuara në aktakuzë janë të ndërlidhura me rastin e që janë objekt i aktakuzës dhe nuk ka kurrfarë rëndësie se kur është parashtruar ankesë në Odën e Përmbaruesve Privat të Kosovës.

Në fund, gjykatësja Elezi ka thënë se sipas detyrës zyrtare do të dëgjohet në cilësi të dëshmitares bashkëshortja e të ndjerit H.B.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 10 shkurt 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 29 korrik 2022, Saranda Kuçi po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare të saj, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin e tipit “Hurmilan-XA6062” në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G.

Në aktakuzë thuhet se, e akuzuara Kuçi ka urdhëruar konsfikimin e traktorit i cili nuk ishte pronë e të dëmtuarit Xh.G, por pronë e të ndjerit H.B nga Suhareka, të cilin e dërgon në truallin ndërtimor të kreditorit Bajrush Gashi NPT “Loni” nga Suhareka.

Me këto veprime, Kuçi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.