26-11-2024

Prizren: Gjykimi për detyrim, babai i të dëmtuarit thotë se ndihet i dëmtuar në shumën prej 400 mijë euro

Dëshmitari Zef Gruda, babai i të dëmtuarit Pal Gruda, ka thënë se ndihet i dëmtuar në shumën prej 400 mijë eurosh nga i akuzuari Asdren Mekaj.

Në këtë rast, Asdren Mekaj po akuzohet se e detyroi të dëmtuarin Pal Gruda t’i japë para e t’i blejë vetura të shtrenjta, raporton “Betimi për Drejtësi”

Babai i të dëmtuarit Pal Gruda deklaroi se ka qenë janar- shkurt 2013 kur ka kuptuar për problemet financiare të djalit të tij dhe se menjëherë ka shkuar në Shqipëri për t’u takuar me të.

Ai shtoi se gjatë periudhës së studimeve të djalit të tij në Tiranë 2009-2013, në vitin 2010 kishte kuptuar se i njëjti ka disa shqetësime pasi që nuk ka qenë stabil dhe nuk ka bërë gjumë të rehatshëm, por që i njëjti ishte arsyetuar me problemet e studimeve të tij.

Tutje deklaroi se financimin e djalit të tij në Tiranë e ka bërë vet ai dhe se shpenzimet kishin qenë të arsyeshme.

Mirëpo, theksoi se për blerjen e veturave dhe fast-foodit paratë i ka siguruar prej rezervave familjare e më vonë për mbulimin e pagesave ka marrë sasi ari nga 4 lokalet argjendari që i kanë në pronësi.

Pal Gruda tha se me prindërit e të akuzuarit është takuar një herë në korrik apo gusht të 2013-ës, kurse në dy takimet tjera është takuar me Sali Mekajn, më 24 maj 2014 në Klinë dhe më 2015 në Katedralen në Prishtinë.

Ai theksoi se në të tri takimet i është kërkuar shuma prej 200 mijë euro.

Gruda shtoi se këto të holla nuk janë paguar te familja Mekaj nga shkaku se nuk e kishin ndjerë veten se kanë borxh.

Kurse, në fund tha se ndihet i dëmtuar në shumën prej 400 mijë euro dhe kërkoi nga gjykata që të kthehet dëmi i shkaktuar nga i akuzuari Asdren Mekaj.

Tutje në gjykim janë administruar provat e lëndës, në mesin e tyre edhe leximi i mesazheve në “Whatsapp” në 39 faqe dhe mesazheve në “Facebook”  në 2 faqe, si dhe është lexuar akti noterial i 11 shkurtit 2013 i lidhur mes Asdren Mekajt dhe Pal Grudës.

Pasi që më tutje nuk kishte propozime të tjera, seanca e sotme është ndërprerë dhe do të vazhdojë më 29 qershor 2022.

Ndryshe, këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Besnik Berisha, gjykatësi Osmani ishte përjashtuar, kurse me vendim të gjykatës lënda i është caktuar gjykatëses Teuta Krusha.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj, për shkak të kryerjes së veprës penale “Detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “Shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale.

Megjithatë, për veprën penale “Shantazhi” Gjykata Themelore në Prizren, më 31 gusht 2018, kishte marrë aktvendim me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.