26-11-2024

Prizren: Gjykimi për vjedhjen grabitqare në “Viva Fresh”, dëshmitari thotë se vodhën cigare e të holla

 Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, ka dhënë përsëri dëshminë e tij i mituri H.B, i cili tha se në natën kritike kishin pasur kaçavidë dhe armë, të cilën e ka pasur i akuzuari Ahmet Ahmetaj dhe se atë natë kishin marrë cigare dhe të holla nga “Viva Fresh Store”.

Këtë deklarim, H.B e bëri të enjten, në seancën ndaj Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj që po akuzohen për vjedhje grabitqare, kurse Xhafer Ahmetaj po akuzohet për përdorim të armës.

Dëshmitari H.B deklaroi se është i sigurt se natën kritike ka qenë me të akuzuarit Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj, mirëpo për të akuzuarit Veton Krasniqi dhe Leotrim Sokoli nuk ishte i sigurt, pasi që të njëjtit kanë qënë me maska, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se atë natë kanë qenë 5 persona dhe tha se s’ishte i sigurt kush e ka hapë derën Berati apo Ahmeti dhe theksoi se katër persona ishin futur në objektin e “ Viva Freshit” ndërsa i pesti ka qenë jashtë.

Dëshmitari deklaroi se pasi ndodhi rasti, Ahmet Ahmetaj i kishte marrë telefonin dhe pas kësaj i ishte drejtuar me fjalët “Dil jashtë nga vetura”.

Tutje tha se i akuzuari Ahmet i kishte siguruar të gjitha, veturën, armën, kaçavidën dhe pajserin, dorezat etj.

Në fund theksoi se ka pasur kërcënime prej baballarëve të të akuzuarve e krejt kjo për shkak të deklaratës së dhënë, të cilët i kishin përcjellë ‘selamin’ përmes një shokut të tij duke i thënë se “Djali im është në burg, në momentin kur të del jashtë, ka me pasë punë me mua”

Pas kësaj seanca e sotme përfundoi dhe ato të radhës janë caktuar më 5, 6, 14 dhe 17 janar 2022.

Në aktakuzë thuhet se Ahmet Ahmetaj duke pasur armën me vete si dhe duke përdorur forcën përmes një shufre metalike, në shoqërim të të miturit i cili ka pasur në dorë një kaçavidë, hapin derën e qendrës tregtare dhe të gjithë futen brenda, ku arrijnë të përvetësojnë një sasi të konsiderueshme të cigareve.

Gjatë daljes nga qendra tregtare thuhet se ata vërehen nga dëshmitari Xhafer Ahmetaj, i cili ishte edhe pronar i objektit, ku Ahmet Ahmetaj me të kuptuar që janë vërejtur nga pronari i objektit ka shkrepur me armë në ajër dhe më pas hipin në veturën “Renault Megane” dhe largohen në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar kështu “Viva Fresh Store” dëm material.

Me këto veprime ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhja grabitqare” nga neni 316, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Xhafer Ahmetaj, gjatë kohës kur ka zënë të lartpërmendurit në flagrancë, ka përdorur armën e zjarrin në kundërshtim me ligjin, ndonëse për të njëjtën posedon leje nga organi kompetenet.

Aty thuhet se derisa Ahmet Ahmetaj ka shtënë me armë zjarri në ajër për ta frikësuar Xhafer Ahmetajn, ky i fundit gjithashtu nga terrasa e shtëpisë ku banon shtinë 4 herë me armë në ajër, nga frika për të dhe familjen e tij, me qëllim që t’i largojë të pandehurit.

Në fund, në aktin akuzues thuhet se posa policia arrijnë në vendin e ngjarjes, Xhemaj Ahmetajt ia sekuestrojnë armën në fjalë.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.