23-11-2024

Prizren: Hajnat vjedhin 50 mijë euro cash në një shtëpi

Një fenomen mjaft shqetësues janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa e shtëpi, në fshatra e qytete të ndryshme. Së fundmi janë bërë publike disa raste të vjedhjeve të shumave të majme të parave të gatshme nga shtëpitë e kosovarëve. Një rast i tillë është denoncuar edhe gjatë ditës së djeshme, në Policinë rajonale në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për shumën prej mbi 50 mijë euro, që pronari i një shtëpie në rrugën “Fehmi Shala” në Prizren, denoncoi se dikush ia vodhi nga shtëpia. Në bazë të dëshmisë të viktimës të dhënë para hetuesve policorë, personat që ia ‘avulluan’ paratë cash nga shtëpia, dyshohet se kanë depërtuar brenda përmes ballkonit, duke hapur me forcë derën.

Vjedhja e rëndë, sipas pronarit të shtëpisë ka ndodhur në kohën kur familjarët s’kanë qenë në shtëpi, periudhë kjo që është shfrytëzuar nga hajnat.

Burimet nga Prokuroria thonë se dyshimet e para që janë ngritur pas nisjes së hetimeve çojnë në drejtim të disa familjarëve të viktimës, të cilët dyshohen se mund të jenë të përfshirë në këtë rast.  Megjithatë mbetet që gjatë zhvillimit të hetimeve, të shihet nëse vërtetohen apo jo këto dyshime.

Si rezultat i denoncimit, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë disa ekzaminime, ndërkohë që Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër që të iniciohet rasti “vjedhje e rëndë” dhe të vazhdojnë hetimet.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja.

Asnjë koment

Comments are closed.