Prizren: “Hidroregjioni jugor” thotë se është mobilizuar për mbrojtje të shëndetit publik
KRU “ Hidroregjioni jugor” përmes një komunikate drejtuar mediave, njofton se : Bazuar në Vendimet e Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor ” sh. a, merr masat e duhura në mbrojtje të shëndetit publik, kundër përhapjes së Covid-19 (Koronavirus). Menaxhmenti i Kompanisë me datën 14.03.2020 ka formuar Shtabin Emergjent për mbarëvajtjen e shërbimeve të furnizimit të rregullt me ujë për konsumatorët si në vijim:
KRU “Hidroregjioni Jugor ” sha ka marrë masa që përkohësisht ta reduktojë stafin punues, nëpër departamente, ku njëkohësisht do te jenë funksionale të gjitha punët vitale si prodhimi dhe mirëmbajtja e rrjetit për furnizim 24\7 për konsumatorët me ujë të pijes.
Është bërë dezinfektimi i të gjitha objekteve në nivel rajonal të Kompanisë.
Stafi i rregullt në punë është pajisur me mjete mbrojtëse kundër Covid-19.
Të gjitha pikat e prodhimit dhe laboratori do jetë në funksion maksimal duke i shtuar masat e sigurisë në pajtim me Vendimet e Qeverisë, duke prodhuar sipas nevojave të konsumit, marrjen dhe analizimin e mostrave të ujit në nivel të shtuar.
Mirëmbajtja e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, do të ketë mobilizim të shtuar në mënyrë që të gjitha defektet në teren të eliminohen me kohë.
Administrata dhe ekipet e inspektoratit do të punojnë me staf të reduktuar mirëpo në orar të plotë të punës, në shërbim të konsumatorëve.
Arkat për pagesa do të jenë të hapura sipas orarit të rregullt të punës në nivel rajonal të Kompanisë, për të t’u mundësuar konsumatorëve pagesat e ujit.
Konsumatorët që duan të paguajnë nga shtëpia , pagesat për ujin mund tʹi bëjnë edhe përmes e – banking dhe transferit bankar në llogaritë që janë të shënuara në faturë.
Lexuesit janë tërheq përkohësisht nga leximi i orëmatësve në teren , gjendjet e orëmatësve do të faturohen sipas muajit paraprak.
Për çdo udhëzim shtesë që mund të ndërmerret, bazuar ne vendimet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, do njoftoheni me kohë.
KRU “Hidroregjioni Jugor” sha , kujdeset që në shtëpitë tuaja të ketë ujë të pastër dhe cilësor me qëllim që këtë situatë ta tejkalojmë bashkërishtë,thuhet në fund të kësaj komunikate.