19-05-2024

Prizren: Inspektori i akuzuar thotë që i ka përmbushur detyrimet e tij, mohon t’i ketë shkaktuar dëm Komunës

Inspektori i ndërtimit në Suharekë, Hafir Maliqaj, i akuzuar për korrupsion, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ka thënë se si inspektor i ndërtimit i ka përmbushur detyrimet e tij dhe se nuk i ka shkaktuar dëm komunës.

Këtë deklaratë, Maliqaj e ka dhënë të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku i njëjti në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Suharekë, së bashku me drejtoreshën e Inspekcionit në Suharekë, Jehona Rrafshi-Lumi, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Fatmir Jëlliqi, Maliqaj ka thënë se ka përpiluar konkluzionin mbi rrënim, të 26 majit 2020 sa i përket objektit të investitorit Blerim Gashi dhe konkluzionin 2 dhjetorit 2020 ndaj objektit të investitorit Xhevdet Rexhepi dhe se të njëjtat i ka nënshkruar Rrafshi-Lumi.

Ai deklaroi se më 29 maj 2020 kanë bërë ekzekutimin e konkulzionit për rrënimin e objektit të investitorit Gashi, objekt të cilin tha se e kanë rrënuar në tërësi. Ndërsa, rrënimi i objektit të investorit Rexhepi tha se është paraparë të bëhet më 7 dhjetor 2020.

Maliqaj tha se ka përpiluar procesverbale në të cilat janë të përshkruar të gjitha veprimet që kishte ndërmarrë në terren me rastin e rrënimit të objekteve pa leje.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Genc Nixha, i akuzuari Maliqaj tha se qëndron në tërësi pranë deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori.

Tutje, ai tha se gjatë rrënimit të objektit pa leje kanë bërë rrënimin e tërësishëm, e që prezente kishte qenë edhe drejtoresha e Inspekcionit.

Ai ka thënë se investitori Gashi pas rrënimit të objektit, përsëri ka bërë rindërtimin e objektit të tij dhe se për këtë ndaj tij ka parashtruar kallëzim penal.

I njëjti tha se objekti i rindërtuar nuk është rrënuar pasi që kompania e rrënimit nuk e ka përmbushur detyrën e saj dhe se vendimi 4 dhjetorit 2020 i kryetarit të komunës ka bërë që të mos ndërmarrin asnjë veprim.

Për të njëjtat arsye, Maliqaj ka thënë se nuk është bërë edhe rrënimi i objektit të investitorit Rexhepi.

Pas kësaj, seanca e sotme është ndërprerë për shkak përfundimit të orarit të punës, kurse e radhës është caktuar të mbahet më 27 korrik 2023.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Luma, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë ne cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje ne parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0 , pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding ” , në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës,  nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3 pika 3.6 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Hafir Maliqaj po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas datës 29 maj 2020, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist, i ndërtuar nga investitori Blerim Gashi në parcelat kadastrale 2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “Agrokosova – Holding” në rrugën “Ukë Bytyqi”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit 09 Nr.2076, më 30 nëntor 2020, pasi ka përfunduar ndërtimi dhe me këtë të dëmtuarës i është shkaktuar dëm material ose shkelur të drejtat e saj.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hafir Maliqaj si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që nuk vepron sipas urdhrit të aktvendimit të lëshuar vete më 20 gusht 2020, që në afatin e lejuar prej 15 ditëve të pajiset me leje ndërtimi.

Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij afati njëherit ta mbikëqyrë dhe pengojë investitorin Xhevdet Rexhepin, pronar i objektit afarist “Viva Fresh” në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, që të vazhdojë me ndërtim, por përveç që nuk e bën këtë, po ashtu del me vonesë në vend të ngjarjes më 28 shtator 2020, ku në procesverbalin e hartuar të datës 28 shtator 2020, pasi urdhëron ndërprerjen e punimeve në vend që të ndërmarrë masa që investitorit t’i lejojë afat për tretnim vullnetar e pastaj eventualisht për rrënim të detyrueshëm, përsëri i jep afat shtesë por tani më të gjatë prej 30 ditëve që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material komunës së Suharekës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Lexo edhe:

Prizren: Qeverisja e Totajt punësoi pa konkurs ( Dokument )

Asnjë koment

Comments are closed.