09-12-2024

Prizren: Inspektori kërkon të hudhet aktakuza për mos rrënim të objekteve pa leje

Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza ndaj tij, e cila e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Në seancën e shqyrtimit të dytë që është mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Krasniqi, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Valon Kabashi, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet poshtë, si e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Valon Kabashi, ka thënë se qëndron pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të parashtruar me shkrim.

Ai ka kërkuar nga gjykata që si provë të administrohet edhe vendimi i fundit i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr.A-108/19, i nxjerrë më 5 korrik 2019, si dhe ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Islam Thaqi, drejtor i Inspektoratit në Prizren.

Ndërsa, i akuzuari Krasniqi, ka thënë se e mbështet në tërësi mbrojtësin e tij, duke shtuar se origjinalin e aktvendimit të MMPH-së, ia ka dorëzuar prokurorit gjatë marrjes në pyetje, ku sipas tij, ai vendim ndalon të gjitha procedurat e mëtejme lidhur me objektin në fjalë.

Inspektori në Prizren kërkon të hudhet aktakuza për mos rrënim të objekteve pa leje

Nga ana tjetër, prokurorja Ervehere Gashi ka thënë se në këtë fazë të procedurës i propozon gjykatës që kërkesa për hudhjen e aktakuzës të refuzohet si e pabazuar, pasi sipas saj, aktakuza është e bazuar në prova të pranueshme dhe ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari e ka kryer veprën penale.

Gjykatësi Artan Serjani, ka thënë se për kërkesën e palëve do të marrë vendim me shkrim.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 17 korrik 2019, i akuzuari Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm.

Për këtë rast, ishte i akuzuar edhe investitori Adil Kukiqi, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë, mirëpo dënimi për të do të caktohet pasi që të përfundojë procedura penale edhe për të akuzuarin Krasniqi.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Bashkim Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i pandehuri Adil Kukiqi akuzohet se ka kryer veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Krasniqi, gjatë periudhës kohore prej majit 2016 e deri në dhjetor 2018, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor pa leje të investitorit firmës “Agro Kuka” me pronar Adil Kukiqi, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr masa të duhura në kuadër të kompetencave të tij, për mos lejimin e ndërtimit të objektit dykatësh të firmës “Agro Kuka”, i cili nuk kishte leje ndërtimi fare.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Kukiqi, me 28 gusht 2017, pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal, i njëjti nuk e përfill vërejtjen për ndalimin e punimeve dhe heq shiritin e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare dhe vazhdon ndërtimin e objektit pa leje.

Ndryshe, i akuzuari Krasniqi është duke u gjykuar edhe për një rast tjetër që ka të bëjë me veprën e njëjtë penale, atë të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.