Prizren: Ish-analisti mohon të ketë dhënë kredi, thotë se kjo ishte përgjegjësi e komisionit
Ish-analisti i kredive në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, Driton Syla, ka mohuar ta ketë keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke thënë se ai nuk kishte dhënë kredi.
Sipas tij, përgjegjës për dhënien e kredive, ka qenë komisioni i formuar për këtë qëllim, në kuadër të institucionit në të cilin ka punuar.
Një deklaratë të tillë, i akuzuari Syla, e ka dhënë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, i cili ka dhënë mbrojtjen e tij, në gjykimin ku ai po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai akuzohet se në cilësinë e ish-zyrtarit në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në atë mënyrë që gjatë përgatitjes së dokumentacionit për marrje të kredisë prej 1500 euro për klientin Dan Sefa, e vendos në aplikacion të dëmtuarin Bashkim Sefa, si garantues të kredisë, i cili nuk ka qenë fare prezent dhe pa e shprehur vullnetin e tij.
Në seancën e së mërkurës, i akuzuari Dritan Syla, ka përshkruar detyrat e tij.
“Detyrat e mia kanë qenë që unë së bashku me klientin ta mbush formularin për aplikim, të njëjtin ta dorëzojë tek komisioni për aprovim apo refuzim si dhe monitorimi i klientëve, ndërsa për dhënien e kredive ka vendosur komisioni i përbërë nga zyrtari i lartë i kredive, Zef Hasanaj dhe drejtori i institucionit Gjergj Karaqi. Këta dy kanë qenë kryesor, por unë edhe analistat tjerë kemi qenë pjesë e komisionit herë pas here”, ka thënë i akuzuari Syla.
Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit të këtij rasti, Metush Biraj, i akuzuari ka thënë se është nënshkrimi i tij, në kontratën për kredinë e Dan Sefës.
“Nënshkrimi në kontratën e Dan Sefës të datës 18 maj 2016 është i imi, por kjo tregon se është bërë regjistrimi në sistemin e brendshëm të bankës, e jo në CRK.(Qendra për regjistrimin e kredive në BQK)”, ka deklaruar i akuzuari.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Ethem Rugova, i akuzuari ka thënë se për kredi kishte shkuar Dan Sefa.
“Dan Sefa ka ardhur në bankë për të aplikuar për kredi vetëm, por me vete ka pasur dy letërnjoftima, të vetin edhe të Bashkim Sefës për të cilin më ka thënë se është vëllai i vet”, ka thënë i akuzuari.
I dëmtuari Bashkim Sefa, e ka pyetur atë se pasi që ai ka qenë përgjegjës për dhënien e kredisë, si e kishte bërë atë garantues të kësaj kredie.
“Ma së pari unë nuk kam qenë përgjegjës për dhënien e kredisë për askënd, letërnjoftimin tënd e ka pru në zyre Dan Sefa duke më thënë se të ka vëlla dhe mi ka dhënë edhe të dhënat tjera”, është përgjigjur i akuzuari Syla.
Në seancën e së mërkurës, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar edhe Dan Sefa dhe Faton Jahaj.
Në pyetjen e prokurori Biraj, nëse i kujtohet koha kur ka shkuar për të aplikuar për kredi në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosove”, dëshmitari Dan Sefa, ka thënë se ai nuk kishte aplikuar për kredi në këtë institucion mikro-financiar.
“Unë nuk kam aplikuar për kredi, por mua më është marrë letërnjoftimi nga Faton Jahaj, duke mu lutur që të bëhem garantues, pas 4-5 dite më ka thënë që duhet me shku me nënshkru. Në zyre ka qenë Dritan Syla, më tha që të nënshkruajë për kredinë, e në fakt unë nuk kam aplikuar për kredi në emrin tim. Drejtori i bankës më tha se pasdite do t’i qesim të hollat në bankë, aty kam kuptuar se diçka nuk është në rregull, por Dritan Syla më ka thënë mos fol kurrgjo”, ka thënë dëshmitari Dan Sefa.
Ai ka thënë se ka marrë shumën prej 1500 eurosh, por menjëherë ia kishte dorëzuar Faton Jahajt.
Sefa ka thënë se pasi që kredinë e kishte marrë në emër të tij për Faton Jahajn, sipas tij, ky i fundit kishte pranuar që ta paguajë atë me këste, por që një gjë të tillë, siç ka thënë dëshmitari, ai nuk e kishte bërë për tërë shumën që kishte marr në kredi.
“Kur kamë apliku në AFK për të marrë kredi më kanë thënë se nuk mundësh pasi që ke histori të keqe, pasi që në bankën “Qelim Kosova”, je kredimarrës dhe nuk e ke shly kredinë. Kam biseduar me Fatonin ai më tha se ai po i paguan këstet, por Dritanë Syla është tuj ba dallavere. Pas një viti më ka ftuar ni zyrtar i bankës Zefi më ka thënë që duhet të paguaj pjesën e mbetur të kredisë sepse është në emrin tënd. Dhe unë e kam paguar me këste shumën prej 750 euro”, ka thënë dëshmitari Sefa.
Kurse, dëshmitari tjetër, Faton Jahaj, ka deklaruar se Dan Sefa kishte marrë kredinë në emër të tij dhe se atë e kishte paguar deri kur kishin mbetur edhe 650 euro, duke thënë se këtë shumë të kredisë ia kishte lënë Sefës që ta paguante.
“Dan Sefa ka marrë kredi për mu, në shumën 1500 euro, të njëjtat i kam paguar deri kur në fund kanë mbet edhe 650 euro pa pagu, këtë borxh ia kam lanë Danë Sefës me i pagu pasi që ai më ka pas borxh shumën prej 650 euro për tri maqina qepëse që ja kam dhënë më herët”, ka thënë dëshmitari Faton Jahaj.
Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ethem Rugova, nëse kishte qenë ndonjëherë në bankën “Qelim Kosova” dhe nëse e dinte se kush ishte garantues për këtë kredi, dëshmitari Faton Jahaj, është përgjigjur duke thënë kishte qenë në këtë institucion mikro-financiar.
“Në bankë kam qenë atëherë kur Dani më ka treguar se në bankë është e paguar vetëm një ratë e aty kanë kaluar 7-8 rata papaguar, sepse faturat i kam marrë pa vulë nga Dritan Syla”, ka thënë Jahaj, duke shtuar se nuk e kishte ditur çështjen e garantuesit.
Në pyetjet e prokurorit të rastit, Metush Biraj, se kur ka biseduar me Dan Sefën për ta marr kredinë dhe nëse kishte biseduar se kush të ishte garantues, dëshmitari ka thënë se kishte biseduar me Dritan Sylën, i cili sipas tij, i kishte thënë se personin e gjente ai dhe ia kishte plotësuar dokumentacionin si garantues.
Pas dëgjimit të dëshmitarëve, dhe mbrojtjes të akuzuarit, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka ndërprerë seancën e së mërkurës, ndërsa seanca e radhës ku pritët të jepet fjala përfundimtare është caktuar më 25 korrik 2019, në ora 13:30.
Ndryshe, ky rast fillimisht është iniciuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, mirëpo për t’i ikur konfliktit të interesit, e njëjta ka kërkuar përjashtim, pasi që i akuzuari Syla, rezulton të jetë djali i prokurores Mone Syla, dhe për këtë Prokuroria e Apelit, ka vendosur që rasti t’i delegohet Prokurorisë së Prizrenit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 20 dhjetor 2018, Dritan Syla, akuzohet se në cilësinë e analistit të kredive, në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, në Gjakovë, jashtë detyrave dhe përgjegjësive të përshkruara në kontratë, pa leje dhe dijeninë e të dëmtuarit, Bashkim Sefa, atë e vendos si garantues të kredisë.
Organi i akuzës, thotë se gjatë muajit Maj 2016, i akuzuari Syla, gjatë përgatitjes së dokumentacionit për marrje të kredisë 1500 euro, për klientin Dan Sefa, e vendos në dokumentacion të dëmtuarin Bashkim Sefa, si garantues i kredisë, megjithëse ai nuk ka qenë fare prezent, për të shprehur vullnetin e tij për një gjë të tillë.
Sipas aktakuzës, të dëmtuarit i shkakton dëm të konsiderueshëm, pasi që më vonë, të njëjtit i është mohuar të marrë kredi për arsye se në regjistrin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ai figuron si debitor i keq.
Me këtë, ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi