Prizren: Ish-kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit thotë se pronën e kompanisë e ka mbrojtur me përgjegjësi

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, ka dhënë mbrojtjen ish– kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi, i cili tha se pronën e Infrakosit e ka mbrojtur me përgjegjësinë më të madhe morale dhe profesionale.

Në këtë rast, po akuzohen Agron Thaçi, ish-kryeshef ekzekutiv i Infrakos-it, tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxheri dhe bashkëpunëtori profesional të “Infrakos”-it, në Prizren, Naim Avdyli, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

I akuzuari Thaçi, ka treguar gjendjen e hekurudhës për gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke thënë se e njëjta ka qenë e degraduar dhe e uzurpuar.

Ai ka thënë se nuk kishte pasur njohuri deri në vitin 2014 lidhur me ekzistimin e Planit Zhvillimor Urban të Prizrenit, i cili kishte paraparë dislokimin e hekurudhës nga ajo pjesë e qytetit.

Thaçi ka thënë se si kryeshef ekzekutiv nuk kishte pasur asnjë ftesë për debat publik nga Komuna e Prizrenit lidhur me Planin Rregullativ Urban.

Tutje, ai ka deklaruar se ka ndërmarrë veprime mbi ndalimin e veprimeve ilegale me infrastrukturën hekurudhore, duke iu drejtuar edhe organeve të drejtësisë, por nga të njëjtat nuk kishte gjetur mbështetje.

Mirëpo, nga Gjykata e Prishtinës, Thaçi ka thënë se kanë fituar betejë ligjore për caktimin e masës së përkohshme për ndërprerjen e çdo aktiviteti ilegal në pronën e Infrakos.

Paraprakisht, në këtë seancë ka dhënë mbrojtjen i akuzuari Bashkim Krasniqi, i cili duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtësit të të akuzuarit Nerjovaj, avokatit Blerim Mazreku, tha se inspektorët e ndërtimit me rastin e marrjes së vendimeve për rrënim, konsultohen me drejtorin, juristët dhe stafin mbështetës.

Krasniqi ka deklaruar se gjatë punës së tyre si inspektorë aplikojnë ligjin e ndërtimit dhe se vendimet mbi rrënimin e objektit i përpilon inspektori, ndërsa nënshkruhen nga drejtori.

Ai ka shtuar se tanimë konkluzionet për rrënimin e objektit nuk i nënshkruan drejtori i Inspektorateve, por vetëm inspektori i cili ka përpiluar konkluzionin.

I akuzuari Krasniqi ka treguar se çfarë nënkupton certifikata e pranimit teknik, ku ka thënë se e njëjta jepet në momentin kur vërtetohet se objekti është ndërtuar sipas kushteve të parapara  në leje ndërtimore.

Tutje, ai ka thënë se kanë bërë inspektime në objektin “Liburnia” me ç’rast kishin vërejtur se ka tejkalim të lejes në bodrumin e objektit, e cila ishte pronë e Infrakos, ku edhe kishte marrë vendim për ekzekutimin e rrënimit të pjesës së uzurpuar.

Gjithashtu, Krasniqi ka thënë se në objektin “Liburnia” kishte konstatuar që kishte tejkalim të lejes ndërtimore për një kat, për të cilin kishte ndërmarrë veprime për ndalim të ndërtimeve, por që investitori nuk kishte respektuar të njëjtat.

I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, Krasniqi ka thënë se rrënimi i mbindërtimit nuk ka mundur të bëhet për shkaqe teknike.

Për këtë, ai tha se Komuna e Prizrenit ka pasur kontraktues për rrënim të mbindërtimit, kompaninë “Shehu” e cila nuk posedonte mjete adekuate për rrënim, sepse sipas tyre do t’i shkaktohej dëm tërë objektit.

Seanca e radhës në këtë rast do të mbahet sipas ditarit të punës më 23 nëntor 2022.

Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaçi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol”, më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi, më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar  dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi, më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti, më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është  në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup”, më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka, më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj, më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi, më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është  në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspekcion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, e cila ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij, i cili ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, duke u bazuar në Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj, ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë edhe përkundër konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim parandalues.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOSIT”, në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.

Ndërkaq, i akuzuari Thaçi, gjatë vitit 2013, në Fushë-Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, thuhet se nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në nenin 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS” nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë