Prizren: Jepet fjala përfundimtare në gjykimin për vrasjen e rëndë më 2016 në Suharekë, aktgjykimi shpallet nesër
Me dhënien e fjalëve përfundimtare të palëve, ka përfunduar gjykimi lidhur me vrasjen e Abedin Bytyqit më 2016 në Suharekë, ku për këtë vrasje po ngarkohen Murat Ademi, Reshat Ademi, Fadil Fetiu dhe bashkëshortja e tani të ndjerit, Resmije Bytyqi.
Prokurori Genc Nixha, përfaqësuesi i palës së dëmtuar si dhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve, ia dorëzuan gjykatës fjalën përfundimtare me shkrim dhe pastaj e elaboruan me gojë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Nixha, në fjalën e tij përfundimtare tha se të akuzuarit kanë kryer veprat penale sipas aktakuzës, duke shtuar se Murat Ademi dhe Reshat Ademi kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkërkyerje.
Ndërsa, për Resmije Bytyqin tha se ka kryer veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, e Fadil Fetiu veprën penale të ndihmës në vrasje të rëndë.
Prokurori tha se sipas deklaratave të të akuzuarve, pas leximit të provave, shikimit të CD-ve dhe transkripteve të bisedave, rezulton se të akuzuarit janë fajtorë, andaj edhe i propozoi gjykatës që të njëjtit të dënohen sipas ligjit.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Blerim Mazreku, në fjalën përfundimtare deklaroi se i bashkëngjitet fjalës përfundimtare të prokurorit dhe shtoi se paraqet kërkesë pasurore juridike.
Po ashtu, ai theksoi se këtu të akuzuarit kanë tentuar t’i shmangen përgjegjësisë penale, e që kjo ka shkaktuar që të bëhet më e vështirë zbardhja e kësaj çështje, por pas administrimit të provave është vërtetuar fajësia e të akuzuarve.
Avokati Mazreku shtoi se kjo çështje është zgjatur shumë dhe se familja e të ndjerit ndihet e prekur dhe shtoi se këtu të akuzuarit duhet të dënohen maksimalisht, pasi që të njëjtit nuk kanë shprehur keqardhje dhe se janë fajtorë për vdekjen e të ndjerit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Murat Ademi, avokat Hajrip Krasniqi, në fjalën përfundimtare deklaroi se në këtë çështje rigjykuese me provat e propozuara nuk është arritur që të vërtetohet kryesi i veprës penale, vendi i saktë i kryerjes së veprës penale si dhe koha e kryerjes së veprës penale, si dhe ajo që është me rëndësi shkaku dhe mjetet e kryerjes së vrasjes.
Ai theksoi se i akuzuari Murat Ademi në deklarimet e tij në seancat e kaluara ka treguar të vërteten dhe ka bërë përshkrimin faktik se si ka ndodhur ngjarja dhe se këto deklarime ishin të sinqerta, korrekte, me shprehje të keqardhjes dhe ngushëllimeve.
Avokati Krasniqi shtoi se të akuzuarit Fadil Fetiu dhe Resmije Bytyqi tërë kohën i janë shmangur përgjegjësisë penale, duke shtrembëruar deklararat dhe në fund shtoi se Murat Ademi duhet të dënohet për veprën penale të moslajmërimit të veprës penale e jo për vrasje.
Mbrojtësi i të akuzuarit Reshat Ademi, avokati Arben Ramadani në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se aktakuza nuk ka ndërlidhje me prova dhe se lidhur me ditën kritike, asnjë veprim nuk e lidhë të akuzuarin Reshat dhe se as në deklaratat e dëshmitarëve nuk implikohet Reshati.
Andaj, sipas tij edhe si i tillë ndaj tij duhet të merret aktgjykim lirues.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Resmije Bytyqi, avokati Durim Nevzati, deklaroi se aktakuza nuk është e përpiluar mire, pasi që të gjitha veprimet e të akuzuarit Murat dhe Fadil ia kanë implikuar edhe të akuzuarës Resmije.
I njëjti shtoi se e akuzuara nuk ka pasur veprime që të shtyjë Muratin për vrasjen e të ndjerit Abedin dhe se në mungesë të provave, i propozoi gjykatës që të nxjerrë aktgjykim lirues.
Sipas avokatit Gutaj, i akuzuari Fadil nuk e ka ditur për qëllimin e Muratit dhe se ka qenë i detyruar që të kontaktojë me tani të ndjerin Abedin, para vrasjes.
Ai shtoi se dija, dashja dhe motivi në rastin konkret mungojnë për të akuzuarin Fadil Fetiu, andaj në fund i propozoi gjykatës që në mungesë provash të njëjtin ta lirojë nga akuza e ndihmës së vrasjes së rëndë, por ta dënojë vetëm për moslajmërim të veprës penale.
Pas kësaj, kryetari i trupi gjykues, Xheladin Osmani e shpalli të përfunduar këtë çështje penale, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër, më 24 nëntor 2021.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.
Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.
I akuzuari Fadil Fetiu, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.
Kurse, i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin Abedin Bytyqi, kurse Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.
Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.
Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.