Ylli prizrenas, Muriqi gëzon nxënësit e shkollës “Mustafa Bakiu” në vendlindje
Atmosfera festive dhe emocionet e mëdha mbizotëruan në Shkollën Fillore “Mustafa Bakiu” në Prizren, ku nxënësit patën mundësinë të takojnë nga afër futbollistin e njohur kosovar, Vedat Muriqi.
Vizita e sulmuesit prizrenas u shndërrua në një ngjarje të veçantë për fëmijët, të cilët e pritën me entuziazëm dhe duartrokitje të shumta.

Interesimi i madh i nxënësve për të takuar yllin e futbollit krijoi edhe grumbullime të konsiderueshme në ambientet e shkollës. Megjithatë, Muriqi u tregua i afërt me ta, duke ndarë autografe dhe duke realizuar fotografi me dhjetëra fëmijë që dëshironin të ruanin një kujtim nga ky takim.
Sulmuesi i Kosovës, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Mallorcës në Spanjë, vazhdon të mbetet një nga emrat më të komentuar në futbollin kosovar.
Së fundmi, ai është përfolur për një transferim të mundshëm te gjiganti turk Fenerbahçe.

Takimi i Vedat Muriqit me nxënësit e Shkollës “Mustafa Bakiu” u vlerësua si një moment i veçantë dhe frymëzues, duke u dhuruar fëmijëve një përvojë të paharrueshme pranë njërit prej sportistëve më të suksesshëm shqiptarë./KK

