19-09-2024

Prizren: Kapen me kok*ainë tre persona, ndalohen për 48 orë dhe u sekuestrohet automjeti

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Kështu ndodhi edhe mbrëmë pas mesnate në Prizren, në rrugën “Halil Gashi”, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, një njësi policore që po patrullonte në atë pjesë, ka ndalur për kontroll një veturë, në të cilën ndodheshin 3 persona.

Zyrtarët policorë kanë verifikuar të dyshuarit dhe kanë kontrolluar veturën, në të cilën kanë gjetur një sasi të substancës narkotike të dyshuar kokainë, të ndarë në mbi 15 doza të ndryshme.

Droga që iu gjet të dyshuarve është sekuestruar, e po ashtu edhe automjeti – ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:

Ish-prokurori i Prizrenit me aktakuzë për marrjen e 20 mijë eurove ryshfet, në ballë gjatë ceremonisë së 25-vjetorit të Komunës

Asnjë koment

Comments are closed.