25-04-2024

Prizren: Kërkohet marrëveshje mbi pranimin e fajësisë për mashtrim ndaj dy të pandehurve

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur shqyrtimi gjyqësor kundër të akuzuarve për “mashtrim”, Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik.

Para fillimit të seancës, gjykatësi Luan Berisha konstatoi se më 11 nëntor 2020, mbrojtësi i të akuzuarës Mirjeta Zylfiu, avokatja Ermira Gavazaj Gashi ka parashtruar në këtë gjykatë parashtresën me të cilën njofton  se në këtë çështje penale heqin dorë nga e drejta për të ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës, lidhur me vendimin për refuzimin e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të datës 20 tetor 2020.

Pas kësaj, seanca vazhdoi me leximin e aktakuzës nga prokurori Musli Gashi.

Në këto rrethana, mbrojtësi i të akuzuarës Zylfiu, avokatja Gashi deklaroi se në konsultim me të mbrojturën e saj, është dakorduar që të hyjnë në negociata lidhur me marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë me prokurorinë.

Po ashtu, avokatja Gashi kërkoi nga gjykata që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet, me arsyetimin që të u mundësohet për një afat sa ma optimal për arritjen e marrëveshjes lidhur me pranimin e fajësisë.

Të akuzuarit Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik deklaruan se e mbështesin në tërësi fjalën e avokates Gashi.

Një kërkesë të tillë nuk e kundërshtoi as prokurori Musli Gashi.

Pas këtyre, gjykatësi Berisha njoftoi se kërkesa e avokates Gashi aprovohet, duke shtuar se shqyrtimi i sotën ndërpritet, e njëjta u caktua për 24 dhejtor 2020.

Gjykatësi Luan Berisha theksoi se në rast se deri në seancën e radhës nuk arrihet marrëveshja në fjalë, atëherë gjykata do të vazhdoi me procedimin e kësaj çështje penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 24 qershor 2020, të pandehurit Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik, po akuzohen se nga muaji shtator i vitit 2016 e deri në muajin tetor të vitit 2019, në vazhdimësi, duke vepruar në bashkëveprim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke i fshehur faktet e mashtrojnë të dëmtuarin Sabit Krasniqi, nga fshati Lubiqevë, Komuna e Prizrenit.

Duke i premtuar fillimisht fejesë e më pas martesë të rrejshme me një vajzë që në realitet nuk ekziston me emrin Blerta Berisha nga fshati Xërxe, Komuna e Rahovecit, kinse me vendbanim në Zvicër, thuhet në aktakuzë.

Tutje, sipas aktakuzës, nga i dëmtuari Sabit Krasniqi përfitojnë para të gatshme në vlerë prej 5.200 euro, të cilat i dëmtuari ua paguan në disa pjesë të pandehurve me destinimin për ta ndihmuar financiarisht për shërimin nga kanceri Arbëresha Berishën, motrën e Blerta Berishës, bashkëshortes së tij të ardhshme.

Sipas aktit akuzues, të pandehurit Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik, fejesën dhe martesën e premtuar nuk ia rregullojnë të dëmtuarit Sabit Krasniqi, e as paratë e marra për këtë qëllim nuk ia kthejnë, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, të pandehurit Zylfiu dhe Ponik, po akuzohen se kanë kryer veprën penale: Mashtrimi, nga neni 323 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.