Argjendaria ‘Gold 2000’ në Prizren u bë cak i hajnave rreth 10 ditë më parë, çka bëri që të intervenojë Policia pas denoncimit të rastit nga pronarët. Siç raportoi ekskluzivisht Sinjali, argjendaria u plaçkit nga hajnat që arritën të vjedhin katër kilogramë ari dhe argjend.
Pasi dolën në vendngjarje dhe kryen ekzaminimet e nevojshme, Policia shpalli në kërkim një person si të dyshuar rreth kësaj vjedhje, dhe tashmë i dyshuari ka rënë në prangat e Policisë.
Ndërkaq, sot Prokuroria Themelore në Prizren për të dyshuarin brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Sinjali mësoi dje se personi që dyshohet se vodhi stolit është Shefshet Haziri nga fshati Greme, Ferizaj.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Policia e Kosovës stolitë që u vodhën kapin vlerën e rreth 170 mijë eurove.
Gjithashtu janë kontrolluar objekti i banimit i të dyshuarit së bashku me objektet përcjellëse në fshatin Greme. Gjatë kontrollit janë gjetur dëshmi dhe prova të shumta të cilat janë sekuestruar, si provë materiale është sekuestruar edhe automjeti me të cilin është kryer vepra penale.
I dyshuari, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GS