24-11-2024

Prizren: Komuna paralajmëron që deri më  25 qershor të largohen pengesat në hapësira publike

Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar,  Komuna e Prizrenit, ka paralajmëruar  fillimin e një aksioni për largimin e pengesave të vendosura në hapësirat publike, transmeton sot “gazetaeprizrenit.net”.

 

Në këtë kontekst, Drejtoria e Inspektorateve në Prizren urdhëron të gjithë pronarët e subjekteve afariste, si dhe qytetarët e Komunës, të cilët kanë vendosur pengesa në trotuare dhe hapësira të tjera publike, që deri më 25 qershor të këtij viti ato të jenë të larguara.

 

Referuar njoftimit zyrtar, këtu përfshihen reklamat, pengesat lëvizëse dhe statike, tezgat, tavolinat, karriget, si dhe mallrat nga ana e stërshitësve ambulantë, që janë në kundërshtim me dispozitat e Vendimit Komunal për Rregullimin e Qytetit dhe të Shërbimeve Komunale.

Në të kundërtën, Drejtoria e Inspektorateve do të marrë masat e duhura për largimin e tyre, në bashkëveprim me organet e tjera shtetërore. Ndërsa ndaj pronarëve të bizneseve, apo qytetarëve, të cilët nuk i nënshtrohen kësaj urdhërese, pos largimit dhe konfiskimit, do të merren edhe masat ligjore.

Për pengesat nëpër rrugët e Prizrenit, fundjavën që shkoi “gazaetaprizrenit.net” ka pasur një artikull kryesor, që ishte ndër shkrimet më të lexuara. Vozitësit kanë paraqitur shqetësimet e tyre për vendosjen pa kriter të pengesave nga betoni në formë të policëve të shtrirë, duke thënë se ato janë të shpeshta dhe që pengojnë qarkullimin normal, duke i kthyer kësisoj rrugët e dedikuara për lëvizje normale në pengesa për automjete, të cilat edhe po pësojnë dëmtime nga kapërcimi.

 

Asnjë koment

Comments are closed.