23-11-2024

Prizren: Kthehet në rigjykim rasti i rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia”

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e rrënimit të aneks-objektit të kompleksit “Abi Çarshia”, ku u dënua deputetja e Vetëvendosjes dhe ish-kryeinspektori i Komunës së Prizrenit.
Rasti i rrënimit të aneksit të objektit në kompleksin “Abi Çarshia”, sipas Prokurorisë, ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik të vitit 2019, kur i dëmtuari Irfan Fusha kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Kryeinspektori i asaj kohe, Islam Thaçi, së bashku me inspektoren Jetmire Vrenezi në vitin 2022 janë dënuar me nga 3 vjet burg dhe 2,000 euro gjobë.

Por, pas ankesës së mbrojtësve të Thaçit dhe Vrenezit, avokatëve Blerim Mazreku dhe Adem Vokshi, çështja u kthye për rivendosje.

Në vendim Apeli ka theksuar se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale, ngase emërtimi ligjor i veprës penale për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë nuk përputhet me dispozitivin.

“Emërtimi ligjor i veprës penale për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë nuk përputhet me përmbajtjen e dispozitivit gjegjësisht figurën e veprës penale të paraqitur në dispozitiv, pastaj të njëjtit-pra, arsyetimi përkitazi me këtë vepër penale, si për pjesën dënuese dhe atë liruese, i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa ato që janë thënë janë në kundërshtim me vetëveten” – sqarohet në vendim.

Apeli më tej ka cekur se në aktgjykim nuk janë vërtetuar të gjitha faktet dhe rrethanat që plotësojnë elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Së pari nuk është marrë parasysh se vepra për të cilën janë shpallur fajtorë mund të kryhet vetëm me dashje direkte. Nuk lejohet që gjatë arsyetimit të fakteve vendimtare të paraqiten mëdyshje tek dashja e të akuzuarve ngase nuk mund të flitet për faktet, por për përgjegjësi të tjera si disiplinore, kundërvajtëse apo administrative, por kurrsesi për përgjegjësi penale” – sqarohet në vendim.

Instanca e dytë tutje ka thënë se në rastin konkret aktgjykimi nuk përputhet me emërtimin ligjor të veprës për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë dhe atë pikërisht kur bëhet fjalë për dashjen e drejtpërdrejtë.

Përveç shkeljeve të dispozitave të procedurës, Apeli ka konstatuar se aktgjykimi i ankimuar po ashtu është i përfshirë edhe në shkelje të dispozitave përkitazi me arsyet për faktet vendimtare.

“Arsyet e dhëna përkitazi me faktet vendimtare përveç që janë në kundërshtim me dispozitivin, të njëtat janë në kundërshtim të hapur edhe mes vete e po ashtu nuk kanë as mbështetje në prova dhe shkresa të lëndës” – përshkruhet në vendim.

Apeli më tej ka thënë se shkalla e parë ka vlerësuar se Jetmire Vrenezin ka vepruar me nguti dhe e aprovon vlerësimin se e njëjta nuk ka vepruar me dashje të drejtpërdrejtë.

“Gjykata e shkallës së parë e shpjegon dashjen, por që gabimisht bën interpretimin e saj që në fakt i ngjason dashjes eventuale  por jo asaj direkte. Kategoria e veprave penale që kryhen me dashje direkte nuk lejon që kryesi i veprës të veprojë me hamendje” – thuhet në vendim.

Të njëjtin qëndrim Apeli e ka cekur edhe për të akuzuarin Islam Thaçi.

Shkalla e dytë në vijim ka shtuar se aktgjykimi i ankimuar nuk mund të qëndrojë as në pjesën liruese ngase gjykata e shkallës së parë për fakte dhe rrethana të njëjta ka dhënë vlerësime të ndryshme.

“Kjo gjykatë vlerëson se aktgjykimi i ankimuar tani për tani nuk mund të qëndrojë as përkitazi me pjesën liruese, ngase, gjykata e shkallës së parë, për fakte dhe rrethana të njëjta për të gjithë të akuzuarit ka dhënë vlerësime të ndryshme, pra, ndryshe për pjesën dënuese, ndryshe për pjesën liruese, ndërsa, të akuzuarit, dy nga ata, i ka shpallur fajtorë, e katër të tjerë i ka liruar, atëherë, pa dyshim që aktgjykimi i ankimuar si i tillë, tani për tani nuk mund të qëndrojë as për pjesën liruese, prandaj, vendosi që edhe për këtë pjesë aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështjen ta kthejë në rivendosje” – citohet në aktgjykim.

Gjykata e Apelit ka theksuar se në rigjykim Gjykata e Prizrenit duhet të bëjë zbardhjen e plotë të fakteve sidomos të ketë parasysh kallëzimet penale që janë paraqitur nga të akuzuarit kundër të dëmtuarit.

“Të kërkohet nga Prokuroria pse nuk është vepruar sipas kallëzimeve në fjalë, pastaj të vërtetohet lidhja kauzale mes veprimeve të të akuzuarit  me aktvendimin e MMPH duke vërtetuar kohën e veprimeve të marra nga të akuzuarit dhe i dëmtuari në drejtim të lejes. Të merret parasysh propozimi i mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarëve –koordinatorit të Drejtorive të Inspektorateve në Komunën e Prizrenit dhe pas procedimit të provave të njëjtat t’i vlerësojë sipas ligjit” – përfundohet në vendim.

Gjykata e Prizrenit në qershor të vitit 2022 i shpalli fajtorë dhe i dënoi dy nga gjashtë zyrtarët e kësaj Komune nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rasti i rrënimit të aneksit të “ABI Çarshisë”, sipas Prokurorisë, ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik të vitit 2019, kur i dëmtuari Irfan Fusha kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Ish-kryeinspektori Islam Thaçi së bashku me inspektoren Jetmire Vrenezi janë dënuar me nga 3 vite burgim dhe 2,000 euro gjobë.

Ndërkaq, Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, janë liruar nga akuzuat.

Sipas Prokurorisë, Islam Thaçi në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina- Thaçi inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar kanë mundësuar kundërligjshëm realizimin e rrënimit të aneks-objektit të komplesit “Abi Çarshia” në Prizren.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, udhëzimin administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “ABI Çarshia” me rrënimin e aneksit në fjalë konsiderohet 69 mijë e 729 euro.

Me këto veprime, të akuzuarit e lartcekur ngarkohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për të gjitha këto akuza i kanë mohuar të akuzuarit, ndërkaq Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj janë mbrojtur në heshtje.

BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.