25-04-2024

Prizren: Kuvendarja e AAK-së, Agnesa Sinanaj kërkon intervenim të shpejtë për riparimin e rrugëve

Kuvendarja e AAK-së në Prizren, Agnesa Sinanaj ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit intervenim sa të shpejtë për sanimin e gjendjes në rrugët e Prizrenit, të cilat siç ka thënë janë në gjendje të mjerueshme, sidomos ato me kubëza, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Përmes profilit të saj në “facebook”, në të cilin ka publikuar edhe disa foto për gjendjen e disa rrugëve, ajo ka ironizuar me veprimin e Komunës, duke shkruar se derisa rrugët në këtë qytet e komunë janë në gjendje të mjerueshme,  Komuna e Prizrenit edhe këtë vit i ka kthyer prapa, rreth 5 milion euro si tepricë në buxhetin qendror.

Postimi i saj i plotë:

“Rrugët në Prizren, sidomos ato me kubëza janë në gjendje të mjerueshme dhe si asnjëherë më parë.
Deformime të trasesë, gropa, arnime… Prej kohësh, kjo është gjendja me të cilën përballën shoferët në Prizren, të cilët janë të zemëruar për shkak të infrastrukturës së keqe dhe mungesës së mirëmbajtjes.
Nga ajo që na ka rënë ta shohim dhe nga ankesat e qytetarëve, del se gjendja e njëjtë është si në zonën qendrore ashtu edhe nëpër periferi dhe në shumë fshatra.
Komuna së fundi ka nisur arnimin e rrugëve me asfalt, por një intervenim i shpejtë dhe në shumë pjesë është i domosdoshëm edhe në rrugët me kubëza, të cilat nuk janë të pakta në Prizren.
Qytetarët janë dëshmitarët më të mirë, se gjatë viteve të kaluara në Prizren, në disa pjesë janë parë ekipe intervenuese për rehabilitimin e rrugëve, ndërsa tashmë mund të thuhet se edhe në këtë drejtim Prizreni po e humb epitetin e një qyteti me rrugë të mbajtura.
Pos tjerash, vozitësit ia paguajnë komunës së Prizrenit edhe një taksë rrugore, andaj Komuna duhet të veproj menjëherë, duke mos lejuar gjendjen çfarë është në Prizren.
Për më keq, derisa rrugët në këtë qytet e komunë janë në gjendje të mjerueshme, Komuna e Prizrenit edhe këtë vit i ka kthyer prapa, rreth 5 milion euro si tepricë në buxhetin qendror”, ka shkruar Sinanaj.

 

Asnjë koment

Comments are closed.