27-07-2024

Prizren: LDK në opozitë gati Kallëzimet Penale ndaj tre drejtorëve të Totajt

LDK në Prizren, që është pjesë e opozitës, ka paralajmëruar Kallëzim Penal ndaj disa drejtorëve të Komunës së Prizrenit, por fillimisht parasheh që në Prokurori t’i parashtrojë rastet e përfshirjes në veprime të kundërligjshme të tre drejtuesve të qeverisjes lokale të Shaqir Totajt.

Ky subjekt  tashmë i ka të gatshme Kallëzimet Penale ndaj drejtoreshës së Arsimit, Luljeta Veselaj- Gutaj, asaj të Shëndetësisë,  Burbuqe (Krasniqi) Berisha, si dhe drejtorit komunal për Kulturë, Rini e Sport, Adem Morina, raporton “Gazeta e Prizrenit”, që ka siguruar një kopje të Kallëzimit.

Një ditë më parë, kreu i degës së LDK-së, Driton Selmanaj, reagoi ndaj shkeljeve me rastin e fillimit të punimeve në projektet e planifikuara si investime kapitale publike pa leje ndërtimore,  duke e vlerësuar këtë si “përditshmëri e shëmtuar e qytetit dhe komunës”.

Shkeljet sipas LDK-së kanë të bëjnë me atë se Drejtoria e Arsimit, pa leje ka filluar ndërtimin e çerdhes në lagjen “Tusuz”, aneksin në SHFMU  “Heronjtë e Lumës” në Vërmicë dhe aneksin e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Romajë..

Drejtoria e Shëndetësisë, thuhet se pa leje ndërtimore ka nisur punimet në anekset e QKMF-ve në lagjen “Dardania” në qytet dhe në fshatrat Zhur, Gjonaj e Lubizhdë të Hasit.

Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sipas LDK-së po ashtu pa leje ka filluar ndërtimin e “Qendrës së Rinisë” në fshatin Romajë.

LDK përkujtoi se sipas ligjeve në fuqi, Komunat përmes inspektorateve kanë detyrim të kujdesen për ndalimin e ndërtimeve pa leje derisa Komunën e Prizreni po ndodh krejtësisht e kundërta, pasi pikërisht autoritetet komunale janë ato që po shkelin ligjet dhe procedurat e nevojshme duke filluar ndërtimin e objekteve pa leje ndërtimore paraprake të lëshuara nga institucionet kompetente.

Veprimet e tilla, ndërkaq jozyrtarisht thuhet se kanë bërë që Kryetari Totaj, ditë më parë të nënshkruaj shkarkimin e drejtoreshës së Shëndetësisë, Berisha, të cilin në fund të ditës e kishte tërhequr.

Në këtë kontekst, përmes profilit të tij ka reaguar edhe aktivisti opozitar, Ilir Baldedaj nga LDK, i cili zakonisht Shaqir Totajt i drejtohet me nofkën “talenti”. “25 tetori ta ka treguar vendin e vërtetë. Aty e ke kuptuar se je veç një kryetar kukull, i kapur deri në fijen e fundit. Edhe ai entuziazmi me fotografi të ka ra që nga kjo datë, sepse qekiqin për Prizrenin e rrahin të tjerët. Këtë e ke kuptuar këtë ditë, kur në tavolinën tënde është vendosur vendimi për shkarkimin e një drejtori, e që për pasojë ka pasur kërkesën edhe për shkarkimin e dy të tjerëve. Njërin prej tyre ti e shan fort, por e mbanë shumë afër vetes. E din ti pse. Talent, sigurt të kujtohen bisedat që i kemi bërë kohë më parë”, shkroi ai. / Gazeta e Prizrenit

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Asnjë koment

Comments are closed.