23-11-2024

Prizren: Lihet i lirë shoferi, të cilit iu gjetën pranga e xhaketa me emblemë të policisë

Një personi në veturë i janë gjetur pranga, lotsjellës, xhaketa ushtarake dhe procesverbale me emblemë të Policisë së Kosovës, sikurse edhe lotsjellës, por pas arrestimit nga policia, prokurori në Prizren, të dyshuarin e ka liruar, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

Bëhet fjalë për rastin që ka ndodhur me datën 8 korrik 2018, rreth orës 19:30 min. në Rr. “Ukë Bytyqi” në Prizren, kur një patrullë policore në një pikë kontrolli kishte ndaluar një automjet, në të cilin ndodhej vetëm vozitësi.

Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit i janë gjetur dhe sekuestruar: një palë pranga-lidhëse metalike me mbishkrimin në të “ALCYON Made in Spain, dhjetë (10) lidhëse plastike, dy thika, një shufër metalike, një  bombol gazi lotsjellës me mbishkrimin A,.T.L.-CS, pastaj 299 copë gëzhoja të cal.9mm, një pasaporte e Shqipërisë.

Po ashtu është konfiskuar edhe një xhakete ushtarake me emblema të Policisë së Kosovës (PK), gjashtë (6) forma të PK-së-Procesverbal mbi intervistimin e të dyshuarit dhe dy (02) fletore me embleme të PK-së.

Në raportin e Policisë rajonale në Prizren, në të cilin pasqyrohet ku rast, thuhet se Prokurori i Shtetit ka rekomanduar,  që rasti të përcillet në procedurë të rregullt.

I pyetur për këtë zyrtari për media, Vesel Gashi, ka thënë se nuk ka informacione të tjera, se cilat kanë qenë arsyet për një vendim të tillë të prokurorit.

Përkundër interesimit për të marrë më shumë informacione, “Gazeta e Prizrenit” nuk ka marrë ndonjë përgjigje, meqë përgjegjës për media pranë Prokurorisë Themelore në Prizren, ndodhen në pushim. Pyetja i është drejtuar edhe administratorëve të PTH-së, por end nuk ka ndonjë përgjigje.

Ndryshe, zyrtarët policor, përfshirë edhe autoritet më të larta të rajonit kohë më parë, disa herë kanë deklaruar se pas arrestimit të të dyshuarve, prokurorët i kanë dërguar rastet në procedura të rregullta, derisa të dyshuarit më pas u janë lavdëruar policëve, duke u thënë se “vazhdojnë të jenë të lirë”.

Asnjë koment

Comments are closed.