Prizren: Mbledhja e sotme e Kuvendit për faljen e tatimit, sfidë për kryetarin Totaj
Kuvendi Komunal (KK) i Prizrenit, në mbledhje të jashtëzakonshme, sot do të vendosë për Faljen apo Jo, të tatimit në pronë për vitin 2023, deri në shumën 100 euro, raporton Gazeta e Prizrenit.
Seanca e thirrur me kërkesë të Vetëvendosjes (VV), padyshim që do të jetë një sfidë për Kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj, i cili bashkë me drejtues të Asociacionit të Komunave, në fund të gushtit e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin përkatës, me arsyetim se ndërhynë në kompetencat vetanake të komunave.
Pas kësaj u krijua mjegull te qytetarët, meqenëse në shkurt të këtij viti, Kuvendi Komunal e pati votuar iniciativën e njëjtë për faljen e këtij borxhi. Shkaku i kësaj, qytetarët hezituan pagesën e tatimit brenda afatit, që çoi në aplikimin e dënimit dhe kamatës.
Sipas Vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë, ju lejohet Komunave të Kosovës që të marrin vendim për faljen e shumës 100 euro nga tatimi në pronë për vitin 2023.
Nisur nga kjo asambleistët e VV-së në opozitë, thanë se erdhën në përfundim që mundësia më e mirë mbase edhe e vetmja është falja.
Mbetet të shihet si do të veprojë, sot Totaj dhe PDK në pushtet, meqenëse kjo është thikë me dy teha. Miratimi do ta lë komunën pa një pjesë të buxhetit, por është i mirëseardhur nga qytetarët, shkaku i krizës dhe nevojave të fundvitit, raporton Gazeta e Prizrenit.
Mosmiratimi do t’i kushtojë politikisht kryetarit, që siç përmendëm e pati dërguar çështjen në gjykatë, andaj mbetet të shihet nëse Totaj, do të marrë pjesë në mbledhje!
Derisa VV kërkoi nga të gjithë kuvendarët e Komunës për rivotim të nismës, nga burime të “Gazetës së Prizrenit”, del se LDK do të abstenoi, “me arsyetim se ndaj kësaj çështje është deklaruar njëherë organi më i lartë i Prizrenit”.
Referuar VV-së, del se nëse kalon, atëherë nga ky vendim 85 % e taksapaguesve nuk do të paguajnë asgjë për vitin 2023. Atyre që tashmë e paguar, do t’u llogaritet si parapagim për vitin vijues. 10 % do të paguajë më pak se 100 euro për vitin 2023 dhe vetëm 5% e tatimpaguesve do të paguanin më tepër se 100 euro.
Mbledhja do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në “Shtëpinë e Bardhë”, në orën 10:00 dhe do të jetë e hapur për publikun./Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe: