Prizren: Mësimdhënësit udhëtarë paralajmërojnë protestë para Kuvendit Komunal

Mësimdhënësit udhëtarë të Komunës së Prizrenit kanë paralajmëruar protestë para selisë së Kuvendit Komunal të Prizrenit (“Shtëpisë së Bardhë”), shkaku i mospagesës së rishfaqur të udhëtimit të tyre, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Në njoftimin e Shoqatës së Mësimdhënësve Udhëtarë janë ftuar të gjithë ata mësimdhënës, që punojnë në ndërrimin e parë, që më datë 26. 05. 2021 (e mërkurë), të tubohen para selisë së KK-së, për të shprehë pakënaqësi lidhur me ndërprerjen e pagesës së biletave për punëtorët, që udhëtojnë nga Prizreni deri në vendin e tyre të punës dhe anasjelltas.

“Tubimi do të mbahet para Shtëpisë së Bardhë në ora 13:30. Kësaj radhe do të jenë vetëm ata që përfundojnë punën në ndërrimin e paradites, në mënyrë që mos të çrregullohet procesi mësimor”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndërkaq, nga Komuna nuk ka ndonjë njoftim rreth kësaj çështje.

Sipas shoqatës, arsimtarët tashmë po i paguajnë biletat e udhëtimit nga xhepi tyre, që nga fillimi i këtij muaji, pasi ka skaduar afati i tenderit për heqjen e transportit të tyre./Gazeta e Prizrenit/