02-05-2024

Prizren: Mungojnë të dëmtuarit, dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për detyrim, A.M.

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj të akuzuarit për detyrim, A. M.

M. ka qenë i akuzuar edhe për veprën penale të shantazhit, por kjo gjykatë, më 31 gusht 2019, ka marr aktvendim me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa të dëmtuarve, Z. dhe P.G., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e tyre, gjykatësi Xheladin Osmani, ka thënë se ata më 21 janar 2020, me parashtresë kanë kërkuar nga gjykata që seanca e së premtes të shtyhet për një datë tjetër, me arsyetim se nuk mund të jenë prezent në këtë seancë për arsye familjare.

Gjykatësi Osmani, ka thënë se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, ndërsa seancat e radhës i ka caktuar më 9 dhe 13 mars 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit A. M. për shkak të kryerjes së veprës penale “detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin P. G. që t’i jep të holla të gatshme dhe t’i blej vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.