23-11-2024

Prizren: Nga një shkollë po shuhet çdo vit

Pothuajse nga një shkollë është shuar brenda dy vjetësh në Komunën e Prizrenit, për shkak të rënies së numrit të nxënësve. Krahasuar me vitin paraprak, gjatë vitit shkollor 2017/18 numri i fëmijëve është zvogëluar për 731.

 

Nga viti në vit, kohët e fundit numri i nxënëse ka shënuar rënie. Bëhet fjalë për shkollat e këtushme fillore dhe të mesme, ndërsa sipas zyrtarëve, pos uljes së natalitetit, shkak tjetër që ka ndikuar në pakësimin e numrit të fëmijëve në institucionet edukative është edhe migrimi dhe ndërprerja e mësimit.

 

Në vitin shkollor 2016 / 2017 në sistemin parauniversitar të komunës së Prizrenit, në të tri gjuhët mësimore, në të cilat këtu zhvillohet procesi edukativ, kanë qenë 30.655 nxënës, derisa një vit më vonë, pra më 2017 janë 29.924 nxënës.

 

Drejtori komunal për Arsim, Skënder Susuri, ka thënë se faktorët që kanë ndikuar në uljen e numrit të nxënësve janë të ndryshëm, ndërsa  kryesisht dominon migrimi dhe rënia e natalitetit, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

 

Një shkak tjetër është edhe braktisja e procesit edukativ. Susuri, tha se të dhënat për këtë nuk mbahen aktualisht nga DKA, pasi regjistrohen në sistemin e të dhënave SMIA.

 

Ulje të numrit të nxënësve ka pothuajse në çdo vendbanim. Kjo ndër të tjera paraqet problem edhe sa i përket ruajtjes së normave për mësimdhënësit, të cilët janë në procesin edukativ. Ka raste kur nga dy-tre nxënës mungojnë në një klasë, pasi ka migrime, sikur në fshatin Planejë të Hasit e gjetiu. Në disa raste rrezikohet edhe mbyllja e paraleleve.

 

Asnjë koment

Comments are closed.