15-01-2025

Prizren: Ngritet aktakuzë e re ndaj Shkodran Pulajt, ja për çfarë akuzohet

Prizren-Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Shkodran Pulajt për kryerjen e veprës penale të “dhunimit”.

Pulaj akuzohet për dhunimin e një djali të mitur, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, me datë 03.10.2024 për çështjen penale në fjalë, ka ngritur aktakuzë kundër një (1) personi, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë.

“Betimi për Drejtësi” në emisionin e transmetuar më 13 prill 2024, me titull: “Ana më e errët e protagonistit Pulaj, dhunimi i të miturit?”, ku zbulohet se si në verën e vitit 2022, Shkodran Pulaj kishte rënë në kontakt me një të mitur, të moshës nën 16 vjeç.

Zhvillimi i raportit me të duket të mos ketë qenë i rastësishëm dhe natyrshëm.

Sipas dosjes së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se Pulaj dyshohet ta ketë shfrytëzuar të miturin në dy drejtime.

Fillimisht, ai dyshohet t’i ketë dhënë të miturit drogë të llojit kokainë për konsum ditor.

Por, në këmbim të kokainës, Pulaj dyshohej të ketë kërkuar favore seksuale nga i mituri.

Për dyshimin e parë mbi dhunimin, Prokuroria Themelore në Prizren kishte marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më 21 dhjetor 2023.

Përveç aktakuzës për dhunim, pas raportimit të “Betimit për Drejtësi” Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj tij për “dhënie ryshfeti”.

Aktakuza ndaj Pulajt u ngrit pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” publikuar më 2 dhjetor 2023 me titull  “Sish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”,. ku prokurori Biraj dyshohej se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve Naim Osmani, Ukë Sadrijajt dhe Arbër Salihut, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.

Së fundmi, më 10 janar 2024, ndaj Pulajt është ngritur aktakuzë edhe për “Ushtrim ndikimi”.

Ndërsa, aktakuza e parë ndaj tij, si shkas i së cilës u zbuluan dëshmi për veprat e tjera penale, ishte për “Shitblerje të narkotikëve”, e cila aktakuzë ishte ngritur më 25 janar 2024/BetimpërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.