Prizren: Ngritet memoriali kushtuar Ekrem Rexhës-komandant “Drinit” (FOTO)
	
							
Në Prizren, sot në mesditë u bë përurimi i Memorialit kushtuar komandantit të UÇK-së nga Prizreni, Ekrem Rexhës i njohur me nofkën “Drini”, transmeton Gazeta e Prizrenit.
Komandanti nga Prizreni, të cilin qytetarët e kanë pagëzuar si clirimitari i Prizrenit, ndonëse tash në vepër artistike sot solli emocione, si shumë herë më parë, kur kujtohet emri dhe veprimtaria e tij.

Pos zyrtarëve komunal dhe të institucioneve të tjera, në ceremoninë e përurimit morën pjesë edhe pjesëtarë të FSK-së, Policisë, bashkëluftëtarë të Drinit dhe qytetarë.
				             
				             
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ndër tjera ka thënë se komandant “Drini” ka bërë shumë për qytetin e tij dhe çlirimin e vendit. “Sot Prizreni po i jep mirënjohjen e merituar. Ai ishte simbol i luftës së UCK-së. Ai është frymëzim për gjeneratat e reja para dhe pas luftës”.

Realizimi i këtij projekti që zgjati 4 muaj ka kushtuar rreth 150 mijë euro, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Në ceremoninë e zbulimit mori pjesë edhe nëna e “Drinit” e cila nga karroca lëshonte lot, derisa qëndronte para të birit të përjetësuar në vepër artistike, ndërkohë që në prapavijë dëgjohej himni kombëtar.

Djali i Ekremit, që mban nofkën e luftës Drini, para të pranishmëve, tha se për nderimet që iu bënë babait të tij ndjehet tejet i lumtur.

Ekrem Rexha, ish-komandant i Zonës Operative të Pashtrikut u vra në rrethana misterioze para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane”, në mëngjesin e 8 majit 2000. Për veprimtarinë e tij, nga Presidenti i Kosovës është dekoruar “Hero i Kosovës”.

Hapësira e paraparë prej 1. 400m² për vendosjen e Memorialit gjendet në pjesën qendrore të Prizrenit, përkatësisht në rrugën “Adem Jashari”, apo në mini-parkun, përballë selisë së Kuvendit të Komunës të njohur si “Shtëpia e Bardhë.
Portali “Gazeta e Prizrenit”, disa herë ka ngritur çështjen e një ngritjes së një monumenti kushtuar komandant “Drinit”. /GazetaePrizrenit.net/



P. S Disa nga fotot janë huazuar
nga Komuna e Prizrenit
						 