Gjykata Themelore e Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, ndaj të pandehurit me iniciale N.J. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “dhuna në familje”.
Sipas njoftimit për media, masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 12 mars.
“Ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, i pandehuri, me qëllim të cenimit të dinjitetit, brenda një marrëdhënie familjare, i shkakton dhunë, keqtrajtim fizik dhe psikologjik të dëmtuarve bashkëshortes së tij me iniciale M.J, si dhe djalit të tij të mitur, me iniciale A.J. ashtu që duke qenë në gjendje të dehur, 1.77 promil alkool në gjak, kthehet në shtëpi dhe fillon që t’i godas dyert e shtëpisë me grusht dhe iu drejtohet të dëmtuarve me fjalët ‘ikni prej shtëpisë teme, shkoni ku të doni’, e më pas merr një thikë të kuzhinës dhe i kërcënon të dëmtuarit. Të dëmtuarve iu ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri, ku edhe kërkojnë mbrojtje në polici”, thuhet në njoftim.