16-06-2021

Prizren: Paraburgim për kontrabandim me emigrantë

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht gjyqtari i procedurës– Xheladin Osmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 27.05.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 26.06.2021, ndaj të pandehurit V.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale kontrabandimi me migrantë.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit V.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

– Me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare, i pandehuri V.K.,  ka furnizuar me dokumente të rrejshëm të udhëtimi ose të identifikimit me qëllim të mundësimit të kontrabandimit me migrantë, në atë mënyrë që në vazhdimësi nga fillimi i vitit 2021 e deri në maj të 2021, ka mbledhur nga qytetarët një numër të madh të pasaportave qoftë në Komunën e Suharekës  pastaj edhe në Komunën e Rahovecit, për t ‘i pajisur me viza polake, kroate e holandeze duke iu marrë atyre si shpërblim prej 300.oo, 700.oo, 1,000.oo, e deri në 3,500.oo euro

 

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi që procedura hetimore është në fazën fillestare, dhe më tutje do të ndërmerren veprime tjera hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, dhe duhet të merren deklaratat e të dëmtuarve të cilët janë të shumtë në numër, andaj lënia në liri e të pandehurit rrezikon me faktin se i pandehuri mund të asgjësojë apo fsheh edhe ndonjë provë tjetër për të cilën nuk dihet deri më tani nga organet e ndjekjes penale.

Nga të lartë cekurat dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurit është i domosdoshëm dhe i shërben efikasitet të procedurës penale. thuhet në fund të komunikatës.

Asnjë koment

Comments are closed.