26-11-2024

Prizren: Pasdite bllokohen pjesërisht dy rrugët kryesore për “Natën e Bardhë”

Sot në mbrëmje në Prizren mbahet ceremonia e hapjes së manifestimit kulturor, Nuit Blanche  (Nata e Bardhë).

Sipas njoftimit kjo do të jetë hera e parë që një ngjarje e tillë do të mbahet në një qytet të Ballkanit.

Për këtë disa rrugë të qytetit do të jenë të bllokuara përkohësisht për qarkullim të veturave dhe do të jenë ekskluzivisht të hapura vetëm për këtë ngjarje, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Kështu, dy rrugët kryesore të qytetit, rruga “Remzi Ademaj” dhe rruga “Adem Jashari”, do të jenë pjesërisht të bllokuar për qarkullim të veturave.

Në fakt rruga do të jetë e bllokuar nga kthesa që lidhet me rrugën “Faik Emrush” (te ish-qebaptorja Sarajeva) deri tek udhëkryqi përballë PTK-së. Ky segment rrugor do të jetë i mbyllur vetëm ditën e shtunë nga ora 17:00 e deri në ora 07:00 në mëngjes.

Për këtë autoritetet kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët, duke kërkuar që ata t’i përdorin rrugët alternative, duke mundësuar kështu më shumë hapësira publike për këmbësorët.

Në raste emergjente për shfrytëzimin e hyrjes-daljes për në Shatërvan, do të ketë qasje nëpërmjet kyqjes me rrugën “Pushkatarët”.

Në këtë edicion do të jenë gjithsej 16 aktivitete në lokacione të ndryshme brenda Qendrës Historike të qytetit, ku do të performojnë mbi 20 artistë. Ceremonia e hapjes do të jetë në ora 19:00 pranë Urës së Gurit, për të vazhduar më pas me itinerarin sipas programit.

Nata e bardhë organizohet në partneritet mes Komunës së Prizrenit, Komunës së Parisit, Ambasadës Franceze, Aleancës Franceze, Institutit Francez, Bashkimit Europian dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.