23-11-2024

Prizren: Përfaqësues të komunitetit RAE thonë se janë injoruar gjatë ndarjes së materialit ndërtimor nga komuna

Derisa Komuna e Prizrenit,  ka publikuar listën e qytetarëve të cilët kanë përfituar material ndërtimor, për këtë vit, përfshirë ndërtimin e shtëpive dhe të kulmeve, përfaqësuesi të komunitetit  Rom, ka kritikuar institucionin më të lartë lokal,  për siç thuhet injorim  të komunitetet RAE, gjatë ndarjes së materialit ndërtimor.

Përfaqësuesi i komunitetit rom, Osman Osmani, njëherësh anëtar i Komiteti për Komunitete i KK-së Prizrenit, në një komunikatë ka theksuar se Komuna e Prizrenit ka publikuar listën e 47 përfituesve për material ndërtimor, por në përjashtim të vetëm një rasti përfitues me material për ndërtim të kulmit, në mesin 47 përfituesve nuk gjendet asnjë përfitues nga rradhët e komuniteteve RAE, derisa për përfitim të materialit ndërtimor kanë qenë mbi 12 aplikantë të këtij komuniteti.

“Pjesa më e madhe e mbi 900 familjeve me mbi 5.000 banorë të komuniteteve  RAE që jetojnë në Komunën e Prizrenit, jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme. Vendimi i Komunës është në kundërshtim me gjendjen faktike në terren, është në kundërshtim me parimet bazike të qeverisjes së drejtë dhe është në kundërshtim me parimet e të drejtës sociale dhe etnike. Vendimi është në kundërshtim edhe me Strategjinë për përfshirjen e komuniteteve në shoqërinë kosovare 2017-2021”, ka shkruar ai.

Sipas tij, injorimi që Komuna e Prizrenit i bën komuniteteve RAE paraqet ndëshkimin më të madh institucional që i bëhet këtyre komuniteteve dhe është stimulim i drejtëpërdrejtë për thellim të varfërisë, braktisjen e shkollimit, rritje të papunësisë, por edhe braktisjen e Kosovës.

“Andaj, kërkojmë nga Komuna e Prizrenit që të bëjë rivlerësimin e gjithë procesit të përzgjedhjes së përfituesve të ndihmave me material ndërtimor duke u siguruar për trajtim të drejtë të kërkesave të aplikantëve nga komunitetet RAE”, përfundon komunikata/Gazetaeprizrenit.net/

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.