22-11-2024

Prizren: Pranojnë fajësinë për lëndim të lehtë trupor, dënohen me gjobë

Të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Alban Nuhiu dhe Haris Jançishta, pranuan fajësinë që në shqyrtimin e parë fillestar e cila u mbajt të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Elfete Purova, të akuzuarit Nuhiu dhe Jançishta deklaruan se e pranojnë fajësinë për veprën penale e cila u vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Refki Piraj mori aktvendim për aprovimin e pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarve, ku dhe shpalli aktgjykim menjëherë.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Alban Nuhiu dhe Haris Jançishta shpallen fajtor për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, me çka edhe u dënuan me dënim me gjobë, secili në shumën prej nga 200 euro.

I dëmtuari Qendrim Krasniqi për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil, thuhet në aktgjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 21 shkurt 2020, të pandehurit Alban Nuhiu dhe Haris Jançishta akuzohen se më 14 dhjetor 2019, rreth orës 18:00, në rrugën “Reshat Kajragdiu” në Prizren, të pandehurit me qëllim që ti shkaktojnë lëndime trupore të dëmtuarit Qendrim Krasniqit, e kanë sulmuar fizikisht.

Kështu që, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur aty për aty në lidhje me përparësonë e kalimit me veturat që ishin duke lëvizur, fillimisht ishin fjalosur mes vete, e më pas të dëmtuarit dalin nga vetura e tipit golf IV, dhe menjëherë që të dy të pandehurit e godasin me grushta dhe shkelma të dëmtuarin duke e goditur edhe në kokë, në fytyrë, ku edhe e rrëzojnë në tokë.

Me këto veprime, Alban Nuhiu dhe Haris Jançishta, akuzohen se kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.