05-08-2020

Prizren: Prokurori tërhiqet nga aktakuza për korrupsion ndaj ish-inspektorit të ndërtimit

Prokurori Mehdi Sefa, në seancën gjyqësore të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, u tërhoq nga aktakuza ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas prokurorit Sefa,  gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

  • Tutje, i njëjti theksoi se aktvendimi për shfuqizimin e vendimit për rrënim vullnetar, që ka marrë organi i shkallës së dytë, përkatësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka qenë arsye vendimtare për tërheqje nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit Bashkim Krasniqi.

    Sefa tha se Prokuroria konsideron se i akuzuari Krasniqi ka vepruar drejtë kur ka shtyrë ekzekutimin e rrënimit vullnetar dhe ka pritur vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Pas kësaj, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani, mori vendim që aktgjykimi të shpallet më 6 korrik 2020, në ora 09:00.

    Paraprakisht, i akuzuari Kransiqi e dha mbrojtjen e tij.

    Krasniqi deklaroi se objektin ndertimor të investitorit “Agro Kuka” e ka inspektuar që nga fillimi i ndërtimit të tij.

    Ai theksoi se ka bërë inspektime individuale, por ka pasur raste kur ka bërë vizita edhe në grup dhe për të gjitha këto veprime është njoftuar eprori i tij në Komunën e Prizrenit.

    Po ashtu, i akuzuari Krasniqi deklaroi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e parapra sipas detyrave dhe përgjegjësive të tij, deri në momentin kur Ministria e Mjedisit ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e aktvendimit për rrenim vullnetar të objektit “Agro Kuka” në Prizren.

    Andaj, sipas të akuzuarit ky vendim i Ministrisë ka qenë i detyrueshëm për tu zbatuar nga ai, si inspektor dhe Drejtorisë se Inspektoratëve në Prizren.

    Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Bashkim Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i pandehuri Adil Kukiqi akuzohet se ka kryer veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari Krasniqi, gjatë periudhës kohore prej majit 2016 e deri në dhjetor 2018, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor pa leje të investitorit firmës “Agro Kuka” me pronar Adil Kukiqi, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.

    Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr masa të duhura në kuadër të kompetencave të tij, për mos lejimin e ndërtimit të objektit dy katësh të firmës “Agro Kuka”, i cili nuk kishte leje ndërtimi fare.

    Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Kukiqi, me 28 gusht 2017, pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal, i njëjti nuk e përfill vërejtjen për ndalimin e punimeve dhe heq shiritin e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare dhe vazhdon ndërtimin e objektit pa leje.

    I akuzuari Krasniqi, më 18 nëntor të vitit 2019, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren, për një tjetër rast, ku gjithashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. /BetimipërDrejtësi

    Asnjë koment

    Comments are closed.