Prizren: Prokuroria, inspektorët dhe policia takohen për luftimin e veprave penale ndaj mjedisit
U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, priti në takim pune Inspektorët nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, inspektorët komunal dhe përfaqësues nga policia për Rajonin e Prizrenit, lidhur me trajtimin e veprave penale kundër mjedisit. Po ashtu, në këtë takim morën pjesë edhe prokurorë nga Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie, duke përfshirë koordinatorin për trajtimin e veprave penale kundër mjedisit.
Temë kryesore e këtij takimi ishte ndotja dhe degradimi i mjedisit në regjionin e Prizrenit.
U.D. Kryeprokurori Petrit Kryeziu, theksoi se shqetësuese janë rastet e shumta të nxjerrjes ilegale të zhavorrit dhe rërës përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë, si dhe operimi ilegal i separacioneve.
Nga të pranishmit, u kërkua bashkëpunim dhe koordinim sa i përket trajtimit të këtyre rasteve, për të ndërmarrë veprime aktive në drejtim të zbulimit dhe kapjes së kryesve të veprave penale që lidhen me degradim të mjedisit, po ashtu u kërkua ndërmarrja e veprimeve aktive në drejtim të sekuestrimit të mjeteve të kryerjes së veprave penale dhe dobisë pasurore.
Të gjithë të pranishmit, u pajtuan që në të ardhmen të kenë takime të ngjashme, me qëllim ngitjen e bashkëpunimit ndër institucional dhe luftimin e kësaj dukurie.
Prokuroria Themelore në Prizren, mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese.