Në Prizren, sikur edhe në Kosovë dhe në komunitetin botëror myslimanë, sot ka nisur muaji i Ramazanit – muaji i agjërimit.
Ky është muaji i shenjtë, muaj i mëshirës. Nga minaretë e xhamive të shumta të qytetit, por edhe të fshatrave, thirrja e ezanit shënon fundin e agjërimit, përgjatë të cilit agjëruesit largohen nga ushqimi dhe çdo kënaqësi tjetër trupore, duke iu afruar bamirësisë dhe adhurimit të Zotit.
Prizreni është qendër me 76 vendbanime, që ka edhe komunitete të tjera. Shumicën e përbën komuniteti mysliman me 94 për qind shqiptarë, boshnjakë, turq, pastaj pjesëtarë të komunitetit RAE, si dhe pesë për qind katolikë shqiptarë dhe të tjerë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në këtë qytet, harmonia tradicionale ndërmjet besimeve ndjehet veçanërisht në këtë muaji, që tashmë si festë fetare po merr ngjyrimin e një ngjarjeje shoqërore, rreth së cilës bashkohen të gjithë.
Për dallim nga dekadat tjera, për shkak të pandemisë, sivjet kanë ndryshuar rrethanat, të cilat padyshim se do të reflektohen në atmosferën tradicionale.
Në historinë e njerëzimit janë momente të rralla kur objektet e kultit fetar janë të mbyllura, ndërsa nuk ka vizita dhe festime me miq gjatë Ramazanit.
Magjia e natës së Ramazanit, që fillon me iftar, kësaj radhe bëhet rreth tryezës së të cilës janë vetëm familja e ngushtë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Nëpër xhami nuk mund të organizohen ligjërata dhe bashkëbisedime.
Pavarësisht që institucionet dhe Bashkësia Islame janë deklaruar se në këtë muaj të Mëshirës asnjëri s’do të ngelet i uritur, kësaj radhe, nuk do të shtrohen si zakonisht iftare të përbashkëta.
Nëpër furrat e këtushme do të mungojë atmosfera e veçantë, para kohës së iftarit dhe syfyrit. Nata nuk do të jetë e madhërishme dhe e “gjallë” sikur bëhej deri në syfyr.
Sivjet, qyteti do të jetë më i qetë se zakonisht, restorantet e kafenetë janë të mbyllura. Qetësia vazhdon edhe më tepër deri në iftar, kur lëvizja e qytetarëve mund të shtohet në kohën e “pitajkave” (ndonjëherë edhe pitalkave). Ky ushqim tradicional për Prizrenin, i cili zakonisht përgatitet vetëm gjatë këtij muaji e që është shndërruar në simbol të Ramazanit, nuk do të mungojë edhe sivjet.
Në prag të fillimit të Ramazanit, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka mbajtur një takim me furrtarët, derisa është kërkuar respektimi i orarit të lëvizjes.
Po ashtu, qytetarët por edhe furrtarët janë udhëzuar për respektimin e masave konform kushteve të epidemisë, sidomos ruajtjes së distancës sociale dhe shit-blerjeve online.
Për shkak të reduktimit të orareve të punës apo edhe pezullimit të shumë veprimtarive, një numër i besimtarëve do të jenë në shtëpi.
Autoritetet fetare dhe ato politike në Prizren ua kanë uruar të gjithë besimtarëve myslimanë muajin e shenjtë, duke u dëshiruar agjërim të lehtë dhe duke bërë thirrje për rritjen e solidaritetit.
Edhe portali informativ “GazetaePrizrenit.net” besimtarëve islam ua uron muajin e Ramazanit, me shpresën që të krijohen rrethana të reja dhe që Bajramin, ta festojmë bashkërisht! /Gazeta e Prizrenit.net/